Media në raport me të rinjtë

Nga Elorina Kulla

Pavarësisht nga mosha, gjinia apo pozicioni në shoqëri, media është pa dyshim një ndikues në jetën e kujtdo. Televizioni është forma më e konsumuar e medias duke qenë se përfshin disa elemente njëherazi. Për këtë arsye mbetet edhe më i diskutuari për impaktin që krijon në shoqëri. A ofron ai programacion edukues apo vetëm argëtues? Sigurisht që ndikimet janë pozitive dhe negative, por ngërçi mbetet te programacionet me efekte negative, sidomos kur konsumatorë janë fëmijët dhe të rinjtë. Si grupmoshat më delikate në raport me mediat, është e kuptueshme se ekspozimi i tyre para televizionit duhet të jetë i kufizuar, jo vetëm në kohë, por edhe në përmbajtje. Përdorimi i mediave fillon shumë herët, që në vitin e parë të jetës, por në këtë periudhë është i kontrolluar nga prindërit. Që në këtë periudhë krijohen preferencat e para, në të shumtën e rasteve për reklama apo filma vizatimorë dhe në këtë mënyrë krijohen shembuj për tu imituar. Nga ndikimi i medias, fëmijët dhe të rinjtë arrijnë të perceptojnë çfarë është e pranueshme dhe çfarë nuk është. Për reklamuesit, fëmijët janë objektivi më i dëshirueshëm, pasi ata janë edhe më pak të vetëdijshëm për faktin që prodhimtaria e medias luan rol për mënyrën se si ata do të sillen. Disa studime nxjerrin në pah disa probleme, nëse ekspozimi ndaj medias është i pamonitoruar dhe i pakufizuar, si psh. rritje e frikës dhe sjelljeve agresive, apo shtrembërimin fizik dhe rritjen e dëmshme në peshë. Shoqata Psikologjike Amerikane, sipas një studimi, ka arritur në konkluzionin se : “Ka tre efekte të mëdha kur fëmijët konsumojnë televizion apo lojëra elektronike të dhunshme: ata mund të bëhen më pak të ndjeshëm për vuajtjet e të tjerëve, të jenë më të ndjeshëm ndaj frikës dhe më agresivë.” Prindërit kanë një rol shumë të rëndesishëm, jo vetëm në kohën që fëmijët rrinë para ekranit, por edhe në përmbatjen e programeve. Në emisionet e lajmeve fëmijët është mirë që të mos jenë prezentë, pasi ngjarjet që transmetohen me kronika jo të përshtatshme, në krahasim me ato të emisioneve të tjera, janë të vërteta. Sa më shumë që të rritet një fëmijë aq më shumë lidhet me ngjarjet reale, pasi është në gjendje që t’i dallojë ato nga të trilluarat. Ndikimi i medias mbi fëmijët po shtrihet edhe në çështjet e lidhura me shëndetin. Edhe pse ka programe të cilat edukojnë për një të ushqyer të shëndetshëm apo aktivitet fizik, përmes reklamave, fëmijët janë shpesh herë objektivi kryesor i tyre, për ushqime të dëmshme, por me një ndikim të madh te ta. Përveç kësaj duke qëndruar përpara televizorit për një kohë të gjatë ulet mundësia për aktivitet sportiv si dhe është një faktor i rëndësishëm që çon në rritjen e peshës. Një problem tjetër që vihet re është edhe fakti që lojërat fizike janë zëvendësuar me ato virtuale, duke i’u hequr kështu mundësine për të krijuar një grup shoqëror real e të prekshëm dhe duke mënjanuar socializimin e tyre në shoqëri. Koha e lirë për fëmijët, veçanërisht për ata në moshë të vogël, duhet të jetë e përbërë nga lojra, shëtitje në natyrë apo praktimi i ndonjë sporti. Duke qenë se jetojmë në një shoqëri konsumi,e cila e barazon lumturinë me blerjen e pasurisë materiale, imazhi mbetet shumë i rëndësishëm dhe televizioni është një mënyrë për të krijuar një model portretizimi të caktuar. Por a është pozitive media për fëmijët? Sigurisht që po, për aq kohë sa fëmijët monitorohen nga prindërit dhe konsumojnë programe të duhura, të cilat përmbajnë vlera të vërteta shoqërore. Kur fëmijët kalojnë pjesën dërrmuese të kohës para mediave pamore, përfshirë këtu edhe internetin, rritet mundësia që edukimi i tyre të bëhet më i vështirë për familjen dhe shoqërinë ku ai jeton.

About these ads
Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

%d bloggers like this: