Barbarizma gjuhësore apo vitrinë fodullëku?

Fjalët e huaja po “pushtojnë” shqipen standarte

  Nga Alket Skura

 

“Këto fjalë janë si viruset në kompjuter që fillimisht futen me rradhë në këtë të fundit dhe se një ditë mblidhen aq shumë saqë e nxjerrin jashtë funksionit”

U deshën disa kongrese drejtshkrimore për të përcaktuar formën standarte të gjuhës shqipe. Por ky standartizim ka disa vite që po ‘’sulmohet’’ nga fjalë të huaja. Fjalë të ndryshme në gjuhën angleze, franceze, turke etj, po gjejnë përdorim të gjerë në vend dhe po modifikojnë standarten e gjuhës sonë. Në këtë rast përjashtojmë fjalët si kompjuter, flash apo maus pasi mungojnë emërtimet në gjuhën tonë. Por ekziston një kategori fjalësh që edhe pse kanë versionet në gjuhën shqipe vazhdojnë të përdoren në gjuhët përkatëse.

Ne sot jetojmë nën efektin e globalizimit dhe nuk është vetëm gjuha jonë që po përballet me një situatë të tillë pasi edhe shumë gjuhë të tjera evropiane janë të përfshira nga kjo vorbull fjalësh ‘’emigrante’’. Por siç thotë një fjalë e urtë “nëse do të shfarosësh një komb, mjafton t’i sulmosh gjuhën që flet’’. Dikush mund të thotë se janë vetëm disa fjalë që po përdoren në vend të fjalëve shqipe dhe se nuk përbëjnë ndonjë kërcënim siç thotë fjala e urtë. Pra, përse duhet të përdorim fjalë të huaja përderisa ekzistojnë fjalë përkatëse në gjuhën shqipe.

Në këtë vorbull fjalësh, siç e quajta më sipër është  përfshirë dhe media. “Live” ose ‘’jemi këtu live’’ ka disa vite që ka hyrë në modë në mediat pamore gjatë transmetimeve të veprimtarive të ndryshme. E para, këtë fjalë ‘’live’’ vetëm ajo pjesë e popullsisë që flet sadopak anglisht e kupton se çdo të thotë. E dyta, përse duhet të përdoret patjetër kjo fjalë përderisa ekziston fjala përkatëse në shqip që është: drejtpërdrejtë. Pra, “jemi këtu drejtpërdrejtë nga…..’’ po që ka kuptim. Por edhe gjatë kronikave të ndryshme ose më saktë gjatë edicioneve informative media të ndryshme po ‘’promovojnë’’ pa dashje një shqipe të përzier. ” Policia ka sekuestruar një “shotgun”, ka rritje të performancës së Policisë, mazhoranca votoi…, bien remitancat e emigrantëve, kasti i aktorëve, filmi është nominuar për festivalin e ….., vranësirat do të gjenerojnë shira etj., janë disa nga shumë fjalë jo të përshtatshme dhe të pakuptueshme për një pjesë të mirë të audiencws. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e atyre fjalëve që nuk e kanë vendin në shqipen tonë dhe që media po i përdor me dashje apo pa dashje. Por duhet theksuar se media i drejtohet një mase të gjerë të papërcaktuar dhe informacionin duhet ta japë njësoj dhe të kuptueshëm për të gjithë pasi dihet që niveli kulturor dhe arsimor në popullsi është i ndryshëm. Si shembull për këtë gjë mund të marrim ‘’The NewYork Times ‘’ gazetën prestigjoze amerikane tani së fundmi në formë elektronike e cila në çdo artikull ose lajm që boton ka një shkrim ose gjuhë që kuptohet si nga një person që ka arsim të ulët ashtu edhe nga një person me arsim të lartë, pra i kuptueshëm për të gjitha nivelet arsimore.

Edhe politika nuk qëndron prapa përsa i përket kësaj dukurie.

Kushtetuta e Republikës së Shqipësirë, me një nen të posaçëm merr nën mbrojtje trashëgiminë kulturore dhe gjuhën kombëtare. Me pak fjalë, percakton qartë vlerën e gjuhës sonë dhe si duhet të mbrohet ajo. Por duket se ky nen nuk është i njohur nga politikanët tanë pasi vetë këto të fundit janë të përfshirë nga vorbulla e fjalëve të huaja. Emërtime të tilla si “Ministrinë e Inovacionit, Ministria e Shanseve të Barabarta” apo komisioni i ….. janë pak të çuditshme për një shqipe të pastwr. Gjithashtu edhe në deklarata për shtyp apo komente të ndryshme vihet re një mani e politikanëve tanë për të përdorur sa më shumë fjalë të huaja .

Pra, cfarë do të ndodhë në të ardhmen me gjuhën tonë, një ndër gjuhët më të vjetra në Ballkan? A është për tu shqetësuar që këto fjalë të huaja një ditë mund të futen në fjalorin e shqipes duke shuar fjalët e kësaj të fundit? Dikush mund të thotë se këto prurje fjalësh janë të natyrës sipërfaqësore, hyjnë dhe dalin së bashku me modat e ndryshme dhe stilet e paraqitjes mediatike, por fjalët vetë nuk depërtojnë deri  në gjuhë.

Natyrisht, që kjo nuk është si  moda e rrobave, parfumeve apo syzeve etj, që normalisht ndryshojnë me kalimin e kohës. Por bëhet fjalë për një nga vlerat themelore identifikuese të një populli që është gjuha dhe se këto fjalë të reja mund të mbeten në një të ardhme në fjalorin tonë. Pra, ky fenomen duhet trajtuar ashtu sic duhet nga gjuhëtarët tanë, politika dhe mediat duke hapur diskutime dhe debate të shumta për të arritur në një plan veprimi konkret.

%d bloggers like this: