Individualizëm nuk do të thotë papërgjegjshmëri!

Nga Enida Mosho

Në ditët e sotme ku rrjedha e jetës kërkon vendime të njëpasnjëshme dhe përgjegjësi të lartë, ankthi dhe pasiguria janë gjithmonë bashkë shoqëruese. Dikur njerëzit ecnin me moton “Një për të gjithë dhe të gjithë për një”. Në këtë mënyrë shumë ngjarje dhe vendime ishin po aq personale dhe njëkohësisht i përkisnin rrethit shoqëror ku njerëzit jetonin. Mjete të tilla ishin një formë e mbijetesës ndaj vështirësive që paraqiteshin gjatë jetës. Nëse dikush kishte probleme financiare apo familjare, shoqëria i vinte në ndihmë dhe e përkrahte pothuajse gjithmonë. Këto mjete filluan të transformohen në varësi të ndryshimeve që ka sjellë dukuria e individualizmit. Faktikisht sociologu Emile Durkheim e shihte evolucionin shoqëror si një lëvizje nga solidariteti mekanik i shoqërive fisnore, në solidaritetin organik karakteristik për shoqëritë industriale. Ai argumentonte se shoqëritë primitive karakterizoheshin  nga një vetëdije e fuqishme kolektive, të cilën ai e definoi si tërësi e besimeve dhe ndjenjave të përbashkëta të qytetarëve mesatarë të së njëjtës shoqëri. Me rritjen e ndarjes së punës, rritet edhe dukuria e individualizmit, e cila është shfaqur edhe në  shoqërinë shqiptare, kryesisht pas vitit 1992. Individualizmi solli konkurencën që më parë nuk njihej nga shoqëria jonë. Gjithashtu kjo dukuri mbarti me vete lirinë personale, hapi portat e të menduarit në mënyrë të ndryshme, të gjitha këto drejt rrugës së pa shmangshme të një epoke të re jetese. Raporti që kanë njerëzit me veten dhe tjetrin nuk është më si më parë. Koncepti i hapësirës publike dhe private sot kanë marrë një kuptim më të plotë. Nëse më parë hapësirë private konsiderohej pronësia e të mirave materiale të fituara nga vetë individi, në ditët e sotme ky koncept është zgjeruar deri në kufijtë shpirtërorë. Shoqëria Shqiptare ka kaluar vite të gjata tranzicioni politik ekonomik dhe shoqëror. Në aspektin shoqëror ndryshimet janë krijuar në varësi të përshtatjes që kanë mundur të bëjnë njerëzit, pasi disa nga vlerat kulturore ende janë të injektuara në mënyrën e jetesës sonë. Megjithatë ndikimet nga kulturat e huaja kanë arritur të heqin disa pjesë të traditës. Jo vetëm kaq, por edhe kërkesat e jetës kanë ndryshuar. Të gjendur përpara zhvillimeve dhe rikonceptimeve të shumë dukurive jetësore, njerëzve i është dashur të zmadhojnë hapësirën ndarëse me shoqërinë. Tjetri si pjesë përbërëse e shoqërisë është domosdoshmërisht i nevojshëm për njohjen e vetes dhe anasjelltas. Madje bashkëjetesa me tjetrin vjen në mënyrë të natyrshme dhe të pashmangshme. Njeriu është një qënie që gjithmonë është në kërkim të më të mirave. Këto kërkesa janë të pafundme dhe të vazhdueshme. Të gjitha këto dëshira njeriu duhet t’i balancojë në peshoren e mundesive që ai ka. Shpesh herë individi gjendet në dilemën, për të bërë atë që do apo atë që duhet . Këto janë dy elemente që jo gjithmonë përputhen më së miri me njëra tjetrën. Lufta me vetveten është bërë më e vështirë, pasi dihet se vendimet e sotme do të jënë tullat e shtëpisë që do të ngihen nesër. Kuptohet se përmbushja e interesave vetjake lidhet ngushtë me egon që ka në vetvete individi. Më pas, në varësi të mirë përdorimit apo keq përdorimit të egos, krijohen ambiciet personale për realizimin e objektivave. Nevoja për tjetrin duket se sa vjen e po zbehet. Nuk kam kohë të mendoj për të tjerët, shprehen njerëzit me një siguri të plotë. Më duhet të kujdesem për familjen time, të fitoj sa më tepër para se jeta është bërë e vështirë. Askush nuk të ndihmon, secili ka preokupimet e tij. Nëse më parë kushërinjtë mund të më gjendeshin në cdo vështirësi, sot mund të mbështetem vetëm te kreditë bankare. Këto fjalë tregojnë më së miri se individualizmi ka hyrë gjerësisht në jetën tonë. Të lodhur nga orët e gjata të punës, të etur për më shumë të mira materiale, koha që i kushtohet tjetrit apo shoqërisë sa vjen e zvogëlohet. Marrëdhëniet fqinjësore që dikur kanë qënë të rëndësishme, sot kanë një tjetër kuptim. Fqinji sot është thjesht dikushi që banon afër nesh. Sot të rinjtë kanë më pak vetëdije për përgjegjshmëri të hapsirës publike, më pak vullnet për solidaritet dhe zbehje të dëshirës për të ndihmuar tjetrin. Përgjithsisht, marrdhëniet shoqërore janë të ndërtuara në rrethin e punës ku njerëzit punojnë. Të rrethuar nga katër muret e shtëpisë, me dëshirën për të patur mobilje moderne dhe oriendi të çmuara, njerëzve nuk iu intereson se cfarë ndodh jashtë saj. Në një shoqëri me prirje individualiste, njerëzit janë më pak të organizuar në aktivitete vullnetare për komunitetin ku jetojnë. Individualizmi shpesh herë merr ngjyresa indiferentizmi aq sa mendohet se hapsira publike i përket gjithmonë tjetrit. Por nuk duhet harruar se njeriu është dy herë përgjegjës për veprimet e tij ndaj vetes, po aq dhe ndaj të tjerëve të cilët mund ta pësojnë pa shkak. Kjo do të thotë se njeriu është një qënie sociale që ka nevojë për socializim dhe njëkohësisht i duhet të japë kontributin e tij shoqërisë. Njeriu nuk mund të jetojë si një qënie e izoluar apo e vetmuar. Ai ka nevojë të ofrojë e të kërkojë, pra të shkëmbejë me të tjerët. Njeriu jeton brenda një shoqërie të caktuar, i përgjigjet rregullave të saj, ndajnë vlera kulturore të përbashkëta, ndaj çdo zgjedhje vetjake nuk mund të jetë aq vetjake në mënyrën më absolute. Shumë nga vendimarrjet duhen parë në një aspekt më të gjerë. Duke qenë se bashkëjetojmë brenda një shoqërie shumë nga veprimet tona mund të ndikojnë direkt ose indirekt tek ajo. Kujdesi qëndron se çdo vendimarje, nuk duhet të prekë të drejtat ose liritë e tjetrit . Ashtu si nuk do të donim të na prekeshin të drejtat tona, as ne nuk duhet të marrim përsipër veprime që ndikojnë negativisht tek të tjerët. Nga ana ligjore njeriu ka shumë të drejta, madje kur flitet për lirinë gjithmonë theksohet se liria vetjake mbaron kur fillon liria e tjetrit.  Pra liria jonë nuk mund të jetë infinite. Mendërisht po, ndërsa praktikisht ka një kufi ndarës. Në një shoqëri ku bëjmë pjesë duhet të ndërgjegjësohemi se kemi më shumë përgjegjësi. Individualizëm nuk do të thotë papërgjegjësi për komunitetin, pasi mospërfshirja është e barabartë me shkatërim të hapsirës publike që i përket çdo kujt. Me këto që u përmëndën më lart nuk nënkuptohet që njerëzit duhet të kenë marrdhënie detyrimisht të mira me fqinjët e tyre, por të kontribuojnë për mirëmbajtjen e terrenit ku jetojnë, ose së paku mos ta dëmtojnë atë. Nga njëra anë, hapsira private përfshin një territor personal po dhe aq intim që i përket gjithsecilit të vendosë. Nga ana tjetër është hapësira publike ku të gjithë duhet të marrin pjesë. Megjithatë nuk duhet lënë pa përmendur se shumë qytetarë, kontributin e tyre për komunitetin e japin me anë të shoqatave ku ata janë antarsëuar si vullnetarë. Vitet pasardhëse shpresohet që numri i vullnetarëve të tillë të vijë në rritje. Faktikisht duke filluar që nga viti 2000 Republika e Shqipërisë e nënshkroi Konventën e Aarhusit e cila ka për qëllim ti sigurojë qytetarëve të tij të drejtën  për të marrë pjesë në vendimmarrjet publike për çështje të mjedisit, të drejtën e publikut për t’u ankuar në gjykatë për çështje të mjedisit si dhe të drejtën për të patur e për të kërkuar informacion mjedisor. Ndryshe nga shumë dokumente normative që janë të mbushura me ndalime e detyrime për individin, për qytetarin, për grupe shoqërore, Konventa e Aarhusit është një dokument i një lloji të veçantë, duke përfaqësuar një tërësi të drejtash që u jepen këtyre subjekteve. E vlerësuar kështu, Konventa e Aarhusit mund të cilësohet si Karta e të Drejtave të Publikut në fushën e mjedisit. Pjesëmarrja publike ndihmon për të hartuar vendime më të mira të autoriteteve duke marrë parasysh dhe opinione, vlera dhe ide të reja, si dhe njohuri dhe informacione të drejtpërdrejta për gjendjen e mjedisit nga komuniteti dhe qytetarët. Përfshirja e publikut përmirëson cilësinë e vendimeve, ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të qytetarëve për mjedisin, projektet e ndryshme që kërkojnë marrjen e vendimeve. Përfshirja, gjithashtu, ndihmon në shmangien e konflikteve të mundshme dhe në arritjen e një konsensusi me bazë të gjerë për programet mjedisore dhe për zbatimin tyre. Synimi kryesor që duhet theksuar është se nuk duhet lejuar që individualizmi të shtrembërohet nga kuptimi i tij i vërtetë duke i bërë njerëzit më pak përgjegjës për tjetrin dhe komunitetin. Nëse do të vazhdojmë më rritjen e dozës të mos kujdesit dhe mungesës së solidaritetit, rrjedhshmërisht do të sëmurëmi nga infeksionet e një shoqërie jo të shëndetshme.

%d bloggers like this: