Mbeten të errëta perspektivat e diplomacisë perëndimore me Iranin

Nga E-News

Sot SHBA dhe “bashkudhëtarët” e tyre të të ashtuquajturit ‘P5+1’ (Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania) do të ulen përsëri në tryezën e bisedimeve me Iranin, për atë që është etiketuar tashmë si “shansi i fundit” i republikës islamike për të gjetur një marrëveshje me Perëndimin, pavarësisht ambicieve të tij bërthamore. Gjithsesi përfundimet e mundshme të një takimi të tillë janë analizuar gjerësisht nga ekspertët dhe nuk duken aspak shpresëdhënëse.

Dialogu i cili duhet të fillojë sot në Stamboll, është pjesë e lojës së gjatë mes një vazhdimësie të diplomacisë perëndimore dhe pozitave të paepura të Iranit. Tentativa e sotme është të paktën raundi i tretë i përpjekjeve zyrtare të diplomacisë vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit të cilat kanë pasur si qëllim fillimin e bisedimeve për një zgjidhje konsensuale të programit bërthamor të Iranit. Kronologjikisht, përpjekja e parë e këtij lloji ishin takimet e “EU-3” midis viteve 2003-2005. Të paktën dhjetë draftprpozime janë shkëmbyer midis Perëndimit dhe Iranit, pa qenë në gjendje të prodhojnë ndonjë rezultat të prekshëm. Është kësisoj mëse e arsyeshme të mendohet se dhe takimi i sotëm do të jetë një tjetër etapë në vazhdën e dështimeve.

Ajo çka e bën akoma më të vështirë gjetjen e një gjuhe të përbashkët në këto bisedime, janë dhe kundërshtitë e brendshme që karakterizojnë objektivat e diplomacisë perëndimore ne këtë proçes. Në fazën përgatitore të këtyre bisedimeve, administrata e presidentit Obama ka sinjalizuar një sërë kërkesash ‘’afatshkurtra” që do t’i parashtrojë palës iraniane, duke përfshirë këtu mbylljen e qendrës së pasurimit të uraniumit në Fordow. Por është e paqartë së çfarë konkretisht janë të predispozuar amerikanët të konsiderojnë si arritje të suksesshme nga këto bisedime. Kjo paqartësi mund të rezultojë në një paralizë politike nga ana e SHBA dhe BE; një dialog pa fund dhe pa objektiva të mirëpërcaktuara.

Nga ana tjetër për Iranin duket se këto bisedime do të jenë një tjetër rast për të konfirmuar përparësitë e tij. Si përpjekjet e tjera, edhe e sotmja ka shumë gjasa të lejojë republikën islamike të vazhdojë lojën e saj të maces me miun duke fituar kohë për të forcuar programin e tij bërthamor. Avantazhet e Iranit nga një pakt i mundshëm do të ishin minimale. Tërheqja e kohëve të fundit e SHBA nga Iraku dhe largimi i shpejtë nga Afganistani, ka dërgua një mesazh të qartë se interesat e Washingtonit në Lindjen e Mesme po tkurren (ç’ka do të thotë se hapësirat e zyrtarëve iranianë për të manovruar në këto bisedime rriten eksponencialisht!). Gjithashtu dhe formulimet  e diplomacisë perëndimore për “kufizime” dhe “parandalime” japin përshtypjen se deri në njëfarë mase, armatimi bërthamor i Iranit po pranohet si një fakt i kryer.

Për Teheranin këto bisedime janë si një dhuratë nga qielli, një mënyrë për të shmangur dhe njëherë mundësinë e përdorimit të forcës nga SHBA dhe aleatët e saj. Për vendet perëndimore, negociatat e sotme krjojnë mundësinë e një hapësire manovrimi për të shtyrë disa nga zgjedhjet më të vështira siç është për shembull nevoja e ndërhyrjes ushtarakë për t’i dhënë fund programit bërthamor të Iranit. Por nëse historia e 25 viteve të fundit na ka mësuar ndonjë gjë, do të thoshim se është thjesht çështje kohe.

%d bloggers like this: