Urban Jungle

Rubrikë nga Edlira Kalaja

Urban Jungle ka si qëllim pasqyrimin e realitetit të përditshëm të njerëzve të thjeshtë të kryeqytetit. Përshkrimin dhe vënien në dukje të anomalive të përditshme, absurditeteve të cilat për njerëzit, tanimë konsiderohen krejtësisht normale. Në këtë rubrikë, do të ketë në mënyrë periodike, episode të ndryshme të cilat jam e bindur se pjesa me e madhe e njerëzve i prekin çdo ditë nga afër. Ideja e këtyre shkrimeve është që përveçse të vijnë në një stil të thjeshtë, të kuptueshëm, mbase ndonjëherë edhe me ‘zhargon’ të përditshëm, të mbartin me vete ironinë dhe sarkazmën. Ajo çka mbetet më e rëndësishme është fakti që me anë të këtyre episodeve të vihen në pah probleme të cilat na shoqërojnë në të përditshmen tonë, nëpër rrugët apo ambientet e kryeqytetit, për të cilat askush nuk shkruan.

                                                                                     Edlira Kalaja.

                                                                                                          Episode 1

 Ne shqiptarët kemi një raport tepër të ngushtë me gjumin, madje aq të ngushtë sa edhe zgjimin ia lëmë në dorë këtij të fundit. Kështu që, mëngjeseve është më se normale të vrapojmë për në punë apo shkollë. Jemi gjithmonë me vonesë. Pasi ja kemi arritur të dalim nga shtëpia, përpara mbërritjes në destinacionin përkatës duhet më parë të përballemi me disa hapa të zakonshme.

Hapi i parë është i lidhur drejtpërdrejtë me trotuarin:

       Trotuaret në kryeqytetin tonë, kryejnë funksione të ndryshme. Zakonisht përdoren si vende parkimi, rrugë për motorë apo biçikleta. Shitësit ambulantë e kanë bërë vendin e tyre të preferuar, duke qenë se të gjithë njerëzit duhet të kalojnë aty, në trotuar! E si vend strategjik që është, ky i fundit, nuk ka se si t’u shpëtojë lokaleve. Dy tre tavolina të vogla, disa karrige edhe ja një lokal i vogël, në mes të trotuarit. Sigurisht nuk mund të kalojë pa u vënë re, fakti se ky i fundit, shpesh është vetëm një metër i gjerë. Ndaj, levizja në trotuar kthehet në një nismë të vështirë për çdo qytetar që duhet të vrapojë për të nisur ditën e tij.
Pasi ia dolët të kalonit në trotuarin një-metrosh, shumë shpejt do të gjendeni përballë kryqëzimit të parë. Me siguri jeni shumë vonë! Vështroni lart për nga semafori, e kënaqeni me faktin që të paktën punon!

Sigurisht edhe në hapin e dytë, mëngjesi juaj kthehet në një udhëkryq situatash. Dy nga situatat më normale që mund të krijohen vijojnë si më poshtë:

        E para; Semafori “është jeshil” për kalimtarët. Në një rast të tillë duhet të hapni sy e veshë, të siguroheni mirë e mirë e më pas të kaloni rrugën me ngut sepse “gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë”. Ndodh që, edhe pse ju keni të drejtën të kaloni rrugën, t’ju kalojë me shpejtësi marramendëse ndonjë makinë, e cila sigurisht nxiton dhe ajo. Jeni në këmbë, ndaj ajo nuk ka kohe t’ju presë juve që ecni pa “rrota”. Por makinat nuk janë i vetmi shqetësim. Në ato sekonda që janë vënë në dispozicionin e kalimtarit, është më se normale që motorët e biçikletat të ndihen të njëjtë me ju, fundja me dy ‘këmbë’ janë dhe ata. Ajo që nuk duhet të harroni asnjëherë kur kaloni rrugën “me jeshile” janë dum dum-at. Ata nuk e perceptojnë ekzistencën e semaforit!

        E dyta; Situatë e kundërt paraqitet në rastin kur semafori që ke përballë “është jeshil” për makinat. Ndaleni dhe në pritje të radhës tuaj ju “bie në sy” njerëz të cilët kalojnë përmes makinave me shpejtësi. Pamja që ju ofrohet në ato minuta pritjeje, ngjason me një garë të vërtetë. Makina që rendin si të çmendura, e njerëz që u dalin përpara, si trima të vërtetë. Një pamje e cila zëvendëson çdo skenë filmi që mund të keni parë dhe që tanimë është kthyer në rutinën e mëngjesit tonë.

%d bloggers like this: