Valentino Rossi: “Shumë e lodhshme të ngasësh këtë Ducati.”


Nga ErblinVukaj

   Pas vendit të dhjetë në Katar, në garën e parë për vitin 2012, Valentino Rossi shpreh zhgënjimin e tij. “E vërteta është se unë nuk mundem ta ngas këtë motor, nuk e dimë më se çfarë duhet të bëjmë, dhe nuk dua të krijoj iluzione, asgjë nuk do të ndryshojë me shasinë e re “.
Valentino Rossi, përpiqet të justifikohet për vendin e dhjetë në Losail: “Kisha probleme serioze në fillim të garës, sepse kur motori ka goma të reja mundohem shumë. Pastaj duhet t’i them faleminderit Barberas, i cili më nxorri jashtë, se përndryshe do të më duhej ta kisha luajtur garën me atë grupin e ngadaltë që ishte krijuar. Pas asaj dalje, goma e pasme rrëshqiste më mirë, dhe në fund arrita të ecja më shpejtë.” Doktori, dukej mjaft i prekur tek shtonte se nuk arrinte dot ta ngiste dukatin e tij ashtu siç dëshironte. “Nuk arrij t’i jap motorit, nuk arrij të bëj diferencën, ndryshe nga Nicky, që po e nget më mirë, por le të themi që zakonisht jam mësuar të jem më mirë se ai. Jemi shumë larg, jemi për vend të gjashtë… më saktë, ai është për vend të gjashtë. Në Jerez vajti disi më mirë, arritëm të gjashtët në prova, do të shohim… sigurisht që nuk është një objektiv i madh”.
Por a është kjo gjendje më keq se vitin e kaluar, Rossi konfirmon momentin e vështirë: “Mbase është edhe më i keq, ndoshta përfundojmë më keq se vitin e kaluar. Në jam optimist!? Çfarë mund të them, jam i sinqertë, nuk arri ta ngas këtë motor, Nicky i dha më mirë, eci fortë, por në fund arriti vetëm vendin e gjashtë dhe me një distancë prej rreth njëzetë sekondash “- shton kampioni.
Ndryshe nga momentet e kaluara duket sikur Valentino Rossi po kalon edhe një moment kontradiktash e përplasjesh me inxhinjerët e skuadrës së tij. Duke qenë se pakënaqsia dhe mungesa e rehatisë me motorin është shumë penalizuese për oreksin e tij, doktori kërkon ndryshime në motor. – “Në të vërtetë unë kam dhënë disa sugjerime për ato që ishin problemet, sipas meje, por në fund… nuk u zgjidh asgjë, nuk di çfarë të them. Nuk jam një inxhinier,  nuk e di se çfarë duhet të bëjmë për të zgjidhur probleme të tilla më shumë s’di çfarë të bëj”.
Realiteti duket i trishtë për Rossin, i cili edhe pse e ka të njëjtin oreks për titull, nuk ndihet rehat me motorin dhe rezultatet me të: “Edhe sikur të arrija i gjashti do të ishte zhgënjyese, pasi jam mësuar të luftoj për pozicione të tjera. Nuk mendoj se kam rënë më shumë se vitin që shkoj, kjo të paktën është një gjë e mire. Nuk dua të jap dhe krijoj iluzione, shpresat i kemi humbur që vitin që shkoj, dhe nuk besoj se shasia e re e motorit të ndryshoj ndonjë gjë. Fizikisht jam mirë, por e vërteta është që jemi të ngadaltë dhe nuk arrij ta ngas këtë motor”. Fjalë të ashpra të Doktorit, i cili nuk fsheh asgjë sikundër bëri vitin e kaluar. Por duhet thënë se në garën e Katarit, u ndie mungesa e Rossit aty në dyluftimet për vendet e para.

%d bloggers like this: