Varrezat murale, të realizueshme, apo e njëjta shashkë politike e vitit 2008-të?

 Nga Erblin Vukaj

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti, ka “riplasur” debatin lidhur me propozimin për krijimin e varreve murale. Panariti, pak ditë më parë, deklaroi se në Tiranë vdesin mesatarisht 4000 persona në vit, dhe se shërbimi funeral i tyre i merr Tiranës 20,000 m² tokë, kështu që sipas tij, Tiranës i duhet detyrimisht “një revolucion” për të zgjidhur këtë situatë kaotike, ku alternativa më e përshtatshme është krijimi i varreve murale. Pikërisht për këtë propozim, nënkryetari i Bashkisë, kërkoi konsultimin me komunitetet fetare dhe qytetarët e Tiranës. Komuniteti mysliman dhe bektashian, u shprehen kundër këtij propozimi, propozim që përkundrazi, mbështetet “paqtë” nga ana e komuniteteve katolike e ortodokse.
Varret murale janë një risi për kulturën tonë, prandaj para çdo lloj projekti Bashkia e shikon të arsyeshme më parë ngritjen e një diskutimin publik, dhe vetëm pas sigurimit të mbështetjes së duhur, ndërmarrjen e hapave të mëtejshme.
Nënkryetari, theksoi se kuadri ligjor ekziston dhe e mundëson krijimin e varrezave murale, ndërkohë që për këtë ka dhe një precedencë. Varrezat e Dëshmorëve në Durrës janë varreza murale. Kështu që synohet të fillohet me zhvarrosjen e varreve të vjetra, kryesisht ato të cilat janë mbi 40-vjeçare, dhe “rifaktorizimi i tyre duke i vendosur në pozicion vertikal”.
Faktikisht, varrezat murale, janë diskutuar edhe katër vite më parë (në vitin 2008), kur në krye të Bashkisë ishte Edi Rama. Diskutime të cilat nuk çuan gjëkundi e u mbyllën me shpronësime tokash, duke e zgjidhur problemin përkohësisht. Dy vite më pas (në shtator të vitit 2010) me urdhër të vetë Ramës, varrezat e Sharrës, në mënyrë të detyrueshme, u mbyllën përballë mungesës së tokës së lirë, duke ja kaluar varrezave të Tufinës të gjithë peshën e 4 mijë të vdekurve për çdo vit.
Kanë kaluar dy vite e tanimë varrezat e Tufinës, pas rreth 8 mijë varresh që nga ajo kohë, nuk kanë hapësira të lira. Ndërsa nënkryetari, e jo Kryetari i Bashkisë, flet për revolucion, buxheti i miratuar në fillim të këtij viti parashikon rreth 50 milionë lekë fonde vetëm për mirëmbajtjen, e asgjë më shumë për ngritjen e varrezave të reja, qoftë dhe murale.

%d bloggers like this: