Fabula e “Ezopit” të skenës shqiptare

Nga Olsjan Bakiu

Kadri Roshi: Fragment nga filmi “Shembja e idhujve”

Kadri Roshi lindi në 4 Janar të vitit 1924, në Ballsh të Mallakastrës, ndërsa prindërit e tij, Maksut dhe Sabrie ishin me orgjinë nga Libohova. Nëna e Kadri Roshit do të largohej nga jeta, kur Kadriu ishte vetëm 2 vjec,ndërsa i ati do të linte atë krejt jetim në moshën 12 vjecare.
I ati i Kadri Roshit, me profesion avokat do të shquhej për aftësitë e tij të pashembullta në përgatitjen e çështjeve për gjykatë.E tillë ishte aftesia e tij, në këtë profesion sa në të vërtetë, të gjitha cështjet, që do t’i ngarkoheshin, do të numëroheshin më vonë të fituara.
Mbas vdekjes së dy prindërve, Kadriu do të endej për të siguruar jetesën, nëpër qytete si Vlorë, Kavajë, Gjirokastër, Durrës e në fund Tiranë, duke punuar herë si punëtor ngarkim-shkarkimi në portin e Durrësit, herë si punëtor mirëmbajtjeje, dhe në fund biletaprerës, në ish kinema Republika, nëTiranë.
Edhe pse në fisin e tij kishte shumë të arsimuar, nga të cilët numëroheshin rreth 25 mësues, Kadri Roshi në atë kohë do të mbetej i paarsimuar, duke mundur të kryente vetëm 4 vitet e para të shkollës.
Martohet në moshën 23 vjecare me Drita Tahon.Vajza me origjinë nga Gjakova, e cila gjithashtu ishte artiste do të ndajë me aktorin e famshëm 60 vite të jetës së saj.Nga kjo martesë lindën 2 femije, Ermira dhe Kliti, të cilet profesionalisht do të ndjekin pasionin e prindërve.
Fillimet e artit
Në moshë të vogël, Kadriu do të tërhiqte vëmendjen e mësuesit të tij të fillores,duke e mahnitur atë, ndërsa recitonte poezi te Naimit dhe Migjenit.
Në vitin 1945, Kadri Roshi, i cili sapo kishte dëgjuar për një grup teatral të krijuar, do të vendoste t’i nënshtrohej konkursit të tij të parë. Do të ishte pikërisht ky konkurs, që e skualifikonte Kadri Roshin për mungesë talenti dhe pengese në të folur, disfata e tij e parë.
Askush nuk do të dinte dhe as do të imagjinonte, që pas djalit të patalentuar në dukje, Ezopit tonë të ardhshëm, qe shfaqur tashmë talenti.
Në një episod të jetës së tij, do të kujtonim se në atë periudhë, Kadri Roshi imitonte në mënyrë perfekte të 11 fëmijët e fqinjit të tij, këta të fundit të gjithë të lindur me të metën e pengesës në të folur, imitim ky që do të influenconte dhe vetë mënyrën e tij të të folurit.
Vendosë të konkurrojë për herë të dytë. Sërish do të pësontë një tjetër disfatë. Në një konkurs me 21 pjesmarrës Kadri Roshi, sërisht i cilësuar si i patalentuar dhe shoqeruar nga një tjetër konkurrent me emrin Naim Frashëri ( aktori), do të kryesonte listën e të skualifikuarve.
I pushtuar nga hidhërimi dhe i pashpresë do të endej i vetëm rrugës . Duket se në këtë moment, kur përballë tij shfaqet mësuesi i tij i fillores, do të lind edhe shkendija e parë që do të ndricojë rrugën e tij drejt artit.
Pasi dëgjon dhe njeh arsyet e trishtimit të ish nxënësit të vet, mësuesi që tashmë punonte si zyrtar i lartë vendosë të shkojnë së bashku, e të takojnë një mik të tij në drejtorinë e arteve të bukura. Po kush ishte “miku I artë” i mësuesit, burri me mustaqe pisk të zeza, që do të takojnë e që vendosë të ndihmojë artistin të ngjitet nëshkallën e parë, të karrierës së tij?
Një tjetër figurë e shqiptarëve, shkrimtari i njohur Zihni Sako ishte pikërisht personi, mik i mësuesit, i cili vendosi të ndihmojë Kadri Roshin duke i dhënë atij mundësinë të punonte si sufler.
Nuk do te kaloje shumë kohë, kur një grup i vogël personash joprofesionistë, në të cilin bënte pjesë ndër të tjerë K.Roshi dhe N.Frashëri madje të konsideruar më parë si të patalentuar, do të mblidheshin e me ndihmën e miqve do të perkthenin nga frengjishtja, e më pas do të vinin në skenë pjesën “Martesa e Gogolit”, ku Kadri Roshi interpretonte rolin e Podgolisenit. I tillë ishte suksesi i kësaj shfaqjeje sa ky grup amatorësh hyn menjëherë në grupin e Teatrit Popullor dhe nga ajo ditë Kadri Roshi emerohet aktor I teatrit popullor.
Roli i tij i parë do të ishtë Osipi tek Revizori i Gogolit. Mbas dhënies së kësaj shfaqjeje, e cila pati një sukses të paimagjinueshëm, dramaturgu i madh Gogol shnderrohet në një figurë shumë të dashur për të.
Në vitin 1947 Kadri Roshit i jepet e drejta e studimit në Zagreb të Kroacisë, si aktor. Me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë transferohet në Pragë të Cekisë, ku dhe përfundon në vitin 1950 studimet e tij me rezultatin më të lartë të vleresuar “odlično” që në shqip do të përkthehet shkëlqyeshëm.
Roli i tij i parë kur ai u kthye në Shqipëri, mbas kryerjes së studimeve cuditërisht dhe për koinçidencë do të ishte Osipi i Gogolit.
Edhe një herë suksesi do të ishte i jashtëzakonshëm
Do të interpretonte gjatë jetës së tij, duke lënë gjurmë e mbresa të pashlyeshme për ç’do shqiptar në numrin e madhë të roleve dhe personazheve me karaktere nga më të larmishmit si në teatër dhe në kinematografi, pa përmendur këtu veprimtarinë e tij si regjizor dhe pjesmarrës në koncerte brenda dhe jashtë vendit si recitues.
Interpretimi brilant i Kadri Roshit, kësaj embleme të teatrit dhe kinematografisë shqiptare do të cilësohej nga vetë gjeniu i letrave Dritëro Agolli kështu: “Kadri Roshi është patriarku i fjalës së kënduar shqipe. Fjala në gojën e tij merr tingullin e zileve të këmborëve, të Malit të Nemerckës,Malit të Gjerë, të këngës së bukur polifonike, të gurgullimës së lumenjve”.
Momente të vecanta të karrierës
Në vitin 1970 së bashku me grupin e delegacionit brazilian të ardhur në Shqipëri, gjendej edhe Guilherme de Oliveira Figueiredo, dramaturgu brazilian, autori i komedisë heroike “Dhelpra dhe Rrushtë”(Ezopi).
Guilherme kishte dëgjuar se pjesa “Dhelpra dhe Rrushtë” ishte venë në skenë në 1963 në Shqipëri.Duke qenë se kjo pjesë tashmë ishte hequr në mënyrë paradoksale nga repertori, vetë dramaturgu brazilian kërkoi tëmund të shihte atë.
Kadri Roshi gjendej pikërisht ato ditë në shtratin e tij,në kushte jo të mira shëndetsore.Si rrjedhim, 4 aktorët e tjerë pjesmarrës do të shndërronin dhomën e tij në studio provash e për vetëm 10 ditë do të arrinin të jepnin shfaqjen para autorit.
Figueiredo në fund tëshfaqjes do të thoshte: “E kam parë në shumë vende të botës, por Ezopin qëmendova dhe shkrova e gjeta vetëm këtu, në këtë teatër”.

Dënimi

Në vitin 1974,menjëherë mbas suksesit të Kadri Roshit në interpretimin e rolit Arturo Ui, artisti do gjykohej e akuzohej për arsye të paarsyeshme dhe krejt të stilit diktatoresk. Në fund do të dënohej duke u dërguar të punonte, si punëtor në oficinën e automjeteve të ndërtimit, OAN…
Do të jetë e fuqishme tronditja e tij shpirtërore në atë periudhë sepse në të vërtetë nuk ka forcë, që lëndon më shumë shpirtin e ndjeshëm të një gjeniu, sesa ajo e rrëmbimit të tij nga bota që i përket, nga arsyeja për të cilën vetë ky gjeni është krijuar.
Disa njerëz krijojnë art e disa të tjerë qendrojnë mbi të. Kjo është arsyeja, pse në këtë ambjent ku nuk ekzistonte as mendimi për teatrin, Kadri Roshi do të ngrinte një grup teatral të përbërë nga amatorë. Do të punonte si regjizor e do të vinte në skenë po këtë vit, me grupin që kishte krijuar, pjesën “Koha E Komisarëve” ku vetë ai interpretonte, rolin e komandantit Rapo.
Përpara shfaqjes, e cila do të jepej në Teatrin Kombëtar, Kadriu Roshi nuk do të lejohej të përdorte kabinën e tij të veshjes, kabine kjo,që vetë ai kishte përdorur për një periudhë 30 vjecare. Shfaqja ishte caktuar të fillonte në orën 18:00, por edhe pse koha tashmë kishte kaluar (18:30), ende ajo nuk po fillonte.
Cfarë po ndodh vallë? Do ta pëlqente sërish publiku aktorin Kadri Roshi? Si do të priste ai atë?
Këto ishin pyetjet që pushtonin mendjen e K.Roshit, duke qendruar i mbërthyer nga emocionet mbrapa kuintave. Befas dëgjon zhurmat e kërcitjeve të kollonave të teatrit, zhurma krejt të ngjashme me ato të një tërmeti. Vetëm atëherë do të kuptonte se salla e teatrit ishte mbipopulluar nga spektatorët, duke kapërcyër dyfish kapacitetin e saj. Godina e teatrit rrezikonte të shembej. Shfaqja filloi. Interpretimi dhe rikthimi në skenë i komisarit Memo do të shoqërohej e mbytej nga ovacione e brohoritje të vazhdueshme ….Shqiptarët njohin dhe duan gjeniun e vet.
Cilësi të karakterit, natyra e Kadri Roshit
Kadri Roshi karakterizohej nga një sens humori jashtëzakonisht i mprehte.Kushdo kishte fatin të gjendej në rrethin e bisedave të tij, do të gjendej i mrekulluar nga bota e humorit të tij, humori i cili, shembte ç’do hidhërim apo drame të ngjarjeve që jeta paraqet, apo që vetë ne mund të ishim duke jetuar.
Ishte adhurues i modestisë. Do të qëndronte besnik I kësaj cilësie dhe nganjëherë në një rrethanë të caktuar do të kritikonte veten, duke pyetur: “Mos u tregova mendjamadh?” Serish me humor, vetë ai do të përgjigjej: “Epo me mire mendjemadh se mendjevogël”.
Pasionet e tij ishin duhani dhe peshkimi. Do të braktiste këto dy pasione të veta, për rreth 6 muaj, për dashurinë e tij të madhe artin, në përgatitjen e rolit Arturo Ui. Ky rol tëcilin ai donte marrezisht iu rrëmbye në vitin 1974, me dënimin e tij.
Ishte një njohës i shkëlqyer i historisë, politikës, gjeografisë dhe ekonomisë botërore. Konsideron tekëto njohuri të domosdoshme në interpretimin e roleve të veta. Askush nuk do të grumbullonte informacion për Gjermaninë sa mundi të grumbullonte ai, duke zhytur shpirtin e vet brenda personazhit Arturo Ui.
I pyetur nëse ndien shumë emocione gjatë interpretimeve, ai u pergjigjë: “Përpiqem të provoj gjithë emocionet që kanë provuar karakteret e mi, që të mund t’i transmetoj publikut ato”.
Besonte se për të qenë i suksesshëm duhej shumë punë e se mjaftonte pak talent. Për këtë arsye do t’i kushtonte punës pjesën më të madhe të jetës së tij.
Kishte rrethe të panumerta miqësie,rrethe këto të kategorive të ndryshme. Ç’do njeri, që në jetë gjendej pranë tij, do të rrethohej nga dashuria dhe mirësia, që vetëm mbreti i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Kadri Roshi dinte të dhuronte.
I gjendur shumë herë i sulmuar dhe në situata të vështira do të përballonte ato me shprehjen që kishte rrëmbyer nga roli i Arturo Ui, shprehje që më pas e beri moto të jetës: “Kokën lart djema. Kush s’ka vdekur rron akoma”.
“Ah, rolet e mia. Ato s’janë më të miat, por janë pasuri e kulturës dhe e kombit, unë rolet nuk i bëra për veten time, po për spektatorët dhe për kulturën shqiptare” kështu çshtç shprehur Kadri Roshi në një intervistë për rolet që ai ka luajtur.
Në karrierën e tij të gjatë që fillon nga viti 1945, numërohen me shumë se 170 role, prej të cilave 130 jane role kryesore, qe do te benin te ndihej krenar këdo prej aktoreve te skenes dhe ekranit shqiptar. Në vitin 1961, Kadri Roshi u nderua me titullin “Artist i Merituar”.Në vitin 1969, me çmimin e madh “Artist i Popullit”. Për rolin e kujdestarit në filmin “Lulëkuqe mbi mure”, në vitin 1977 ai mori çmimin special të aktorit më të mirë. Interpretimet e viteve ’80 në filmat “Gjeneral gramafoni”, “Këshilltarët”, “Njeriu me top” etj., cilësohen si kulmi i suksesit të tij.Në vitin 1995, në festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar, mori kupën e “Karrierës”. Nga Presidenti i Republikes në vitin 1998 iu akordua titulli “Nderi i Kombit”.
.
Ndahet nga jeta pas nje vuajtje te gjat semundjeje ne moshen 83 vjeçare, ne 6 shkurt te vitit 2007, me pengun e vetem qe nuk arritri të luante ne rolin e Ali Pashe Tepelenës i lë trashegim kombit shqiptar, legjenden e tij .

Disa nga titujt kinematografik dhe teatral, ne te cilat kadri roshi ka interpretuar:
vitet titujt Role
1958 “Tana” Lefter Dhosi
1970 “I Teti ne Bronx” Ademi
1971 “Kur Zbardhi nje dite” Sekretari
1971 “Malet me blerim mbuluar” Safa Yameri
1976 “Lulekuqet mbi Mure” Kujdestari
1976 “Toke e Pergjakur” Mullixhiu
1976 “Fijet qe priten”Marko Ruvina
1976 “Perballimi” Nazifi
1977 “Zemrat qe nuk plaken”
1977 “Shembja e idhujve”
1978 “Gjeneral Gramafoni”
1979 “Liri a vdekje”
1979 “Keshilltaret” Kryetar i keshillit
1979 “Balle per balle”
1980 “Ushtari i vogel Velo” Çobani
1980 “Deshmoret e monumenteve”
1982 “Era e ngrohte e thellesive “
1983 “Apasionata” Demosteni
1984 “Fejesa e Blertes”
1986 “Rrethimi i vogel”
1986 “Kur ndahesh nga shoket “
1988 “Rekonstruksioni”
1988 “Pesha e kohes”
1990 “Flete te bardha”
1991 “Vdekja e burrit”
1994 “Nje dite nga nje jete”
1998 “Kolonel Bunker”
“Kohe e çmendur“ Xha Fiqua, i cili do të ishte dhe roli i tij i fundit.

%d bloggers like this: