Supermarkete vs. pazare

Nga Iva Bërxolli

Shqipëria moderne tashmë ka ndryshuar pamjen e saj. Në krah te traditës është vendosur e reja dhe karakteristikat orientale janë përzier me ato perëndimore.  Zhurma dhe gjallëria e pazareve tradicionale po zëvëndësohen me sterilitetin e supermarketeve.

Ato krijojnë një realitet të dyfishtë në kontrast me njëri-tjetrin.

Supermarketet prezantohen me ambientet e tyre të pastra që plotësojnë  kushtet higjeniko-sanitare të nevojshme për ruajtjen e produkteve ushqimore. Ato konservohen në ambiente të freskëta dhe çdo artikull është i renditur nëpër rafte. Në  bazë të vendimit nr.1344 të këshillit të ministrave, ato i shoqërojnë produktet edhe me një etiketë e cila tregon përbërjen dhe preardhjen  e tyre.

Gjithçka serviret e gatshme e paketuar dhe me një çmim të caktuar me të cilin nuk mund të bëhen pazare.

Në të kundërt, tregjet paraqiten me mjedise të papërshtashme që nuk përmbushin normat dhe standartet e duhura. Disa prej tyre ndodhen në buzë të trotuarëve, ku pluhuri i  krijuar nga automjetet përfundon mbi fruta e zarzavate.  Gjatë verës, një nga problemet kryesore është ekspozimi i ushqimeve ndaj temperaturave të larta, e cila përbën rrezik për shëndetin e konsumatorit. Shpesh herë ndodh që produktet bujqësore vendosen mbi një plasmas në tokë dhe gjatë dimrit balta është e përfshirë në çmim.

Etiketimet janë të zëvëndësuara me besimin ndaj tregtarëve bujqësor, zërat e të cilëve kumbojnë kudo duke bërtitur se produktet e tyre janë të freskëta dhe pa hile.

Ndërkaq, blerësit  përpiqen të bëjnë marrëveshje mbi çmimet dhe pazari shndërrohet në një vend plot jetë, ku nuk shkëmbehen vetëm mallra, por edhe komunikime.

Tradita e pazarit vazhdon të rezistojë kryesisht për arsye të prodhimeve të vendit që tregton dhe për  çmimet pak më të lira.

Por, komoditeti,prakticiteti, shumëllojshmëria e produkteve dhe shërbimet e shumta ndaj klientit që ofrojnë supermarketet, tërheqin konsumatorin modern shqiptar gjithmonë e më shumë drejt këtyre qendrave.

%d bloggers like this: