Adoleshentët në bashkëjetesë me subkultura të huaja

Nga Enida Mosho

 “Të jesh adoleshent në ditët e sotme është shumë e vështirë. Nuk e di sa shpejt ikin vitet dhe gjendesh përpara një bote të panjohur me frikën nëse do të mundësh ta përballosh. Askush nuk më kupton. Ndjej se të gjithë i kanë sytë nga unë dhe gjithçka që po bëj është e gabuar. Më konsiderojnë të papërgjegjshëm dhe njëkohësisht presin shumë nga unë. Më nevojitet dikush për të më mbrojtur. Nuk e di sa kohë do të zgjasë ky ankth i pasigurisë”.

Këto fjalë janë shqetësime që përgjithsisht shumë adoleshentë i përjetojnë gjatë zhvillimit të fizikut dhe personalitetit të tyre. Shumë psikologë dhe sociologë kanë dhënë shpjegime dhe këshilla për këtë moshë që konsiderohet delikate. Është mosha ku hidhen bazat e personalitetit duke i dhënë përgjigje pyetjes kush jam unë.

Realiteti për adoleshentët shpesh herë duket jo i drejtë. Këtë padrejtësi ata e lidhin me frikën e lënjes së fëmijërisë dhe përballja me të qënurit i rritur. Ata e dinë mirë se të jesh në këtë moshë, përgjegjësitë shtohen. Njëkohësisht shtohet dëshira për t’u rebeluar dhe për të bërë diçka ndryshe. Nga studime të bëra mbi adoleshentët rezulton se janë më të prirur të marrin informacione nga media dhe kryesisht nga teknologjia më e fundit siç është Interneti. Me anë të Internetit adoleshentët futen nëpër forume të shumta duke shkëmbyer informacione me moshatarët e tyre nga vënde të ndryshme të botës. Të gjitha këto informacione të marra, ata i përpunojnë dhe shumë prej tyre vendosin të ndryshojnë mënyrë të jetuari. Ata shfaqin rebelizëm ndaj realitetit në vend që të përshtaten me të. Këtë gjë adoleshentët kryesisht duke filluar nga mosha 14- deri 18 vjeç, preferojnë ti pëgjigjen pyetjes kush jam unë, me anë të veshjeve të caktuara që i përkasin subkulturave të ndryshme. Të qënurit normal, është bërë një koncept tepër i ndërlikuar. Të gjitha veprimet apo mënyra e veshjes është normale sipas arsyetimit të secilit prej tyre. Dikujt mund ti duket shumë normale ose e pranueshme të futet në kategorinë e njerëzve të cilëve i’u pëlqen të studiojnë, të ndjekin kurse të gjuhëve të huaja, të shkojnë në bibliotekë dhe të shohin një film në kinema. Disa të tjerëve këto aktivitete i’u duken një mënyrë e prapambetur dhe aspak fitimprurëse. Këta adoleshentë do të preferonin më tepër të mbidheshin me shoqërinë në disko duke kërcyer dhe pirë pije alkolike në mënyrë për të stimuluar kënaqësinë shpirtërore dhe për të dalë nga monotonia mbytëse që prindërit i detyrojnë të bëjnë.

Subkulturat më të ndjekura janë metalarët, emo, punk, repista, të cilët kanë ekzistuar që në vitet 1970 kryesisht në Amerikë. Kohët e fundit këto subkultura kanë filluar të jenë pjesë e jetesës së adoleshentëve shqiptarë. Faktikisht subkultura e Metalarëve dhe Repistave është më e njohur pasi ka të paktën 10 vjet që ka hyrë si mënyrë jetese apo mode në jetën e përditshme të adoleshentëve. Ndësa subkultura më e re dhe jo shumë e njohur në Shqipëri është ajo e Emo-ve.

Subkultura Emo është e njohur që në vitet 1980, në Amerikë, ku filluan më pas lëvizja dhe aktivitete të lidhura kryesisht me muzikën. Fjala Emo është formuar nga fjala “emocional”, duke dhënë kuptimin e një njeriu i cili emocionohet shpejt dhe është i ndjeshëm. Pas viteve 2001, kjo subkulturë filloi të përhapej dhe në shumë vende të tjera të botës. Në Shqipëri ky fenomen ka filluar të njihet kryesisht 3 vitet e fundit. Për të qënë pjesë e kësaj subkulture, adoleshentët duhet të ndjekin disa rregulla kryesore të cilat janë të përcaktuara nga ata persona që kanë formuar këtë subkulturë. Fillimisht që një adoleshent të konsiderohet Emo, duhet të jetë i ndjeshëm dhe të dëgjojë vetëm një lloj muzike nga grupet muzikore si : Nirvana, GarbageCarlos SantanaThe Get Up KidsSunny Day Real Estate, etj. Këto grupe muzikore luajnë një lloj muzike e cila në tekstet e tyre flitet për botën, për padrejtësitë që i bëhet njerëzimit, duke krijuar një gjëndje pesimiste për realitetin. Së dyti për të qënë pjesë e subkultures Emo, adoleshentët duhet të vishen me rroba të zeza, flokët e lyer me ngjyrë të zezë, duke i prerë në një formë të caktuar (në forumet Emo, që gjenden në Internet, tregohen fotografi të ndryshme se si adoleshentët duhet ti imitojnë). Si vajzat dhe djemtë duhet të bëjnë një truk të rënduar, që përfshin lyerjen e syve dhe buzëve. Si përfundim për të qënë pjesë e kësaj subkulture, këta adoleshentë duhet të ndjekin një ritual që përfshin prerjen e damarve deri në 13 herë. Plagosja e vetes është simbol i pesimizmit, dhe për të treguar se për ta dhimbja fizike është e papërfillshme para asaj shpirtërore.

Ajo çka është më tepër shqetësuese për këta adoleshentë, qëndron pikërisht në pikën e tretë, në dhunimin e vetes, se sa të veshjes dhe mënyrës së të sjellurit. Në një nga faqet e Internetit e cila është më e vizituar nga të rinjtë shqiptarë dhe nga e gjithë bota Facebook,  kishte shumë grupe të tilla të huaja, mbi 1200 antarë secila, ku në disa prej tyre ishin dhe adoleshentë shqiptarë. Ndërsa me 458 antarë rezulton  një grup me emrin “Emo Albania”, ku kishte vetëm të rinj vendas. Shkaqet kryesore që çojnë në ndjekjen e këtyre subkulturave vjen si rezultat i psikologjisë së adoleshentëve për të imituar dhe për t’ju referuar një idhulli. Të gjithë këta adoleshentë janë të prirur të krijojnë marrëdhënie miqësore brënda grupeve ku ata bëjnë pjesë dhe ti kundervihen subkulturave të tjera. Miqësitë midis subkulturave të ndryshme nuk janë përjashtuese por të vështira për tu krijuar. Madje shpesh herë këto mënyra jetese, mund të çojnë drejt krijimit të konflikteve të adoleshentëve me njëri tjetrin. Konfliktet nuk ndodhin vetëm brënda shoqërisë së adoleshentëve por edhe me prindërit e tyre, pasi në shumë familje këto subkultura ende nuk  janë të  njohura. Konflkiktet janë të vazhdueshme deri në momentin kur vendoset një mirëkuptim për të dyja palët. Zgjidhja e konfliktit varet nga mundësitë e zgjedhjeve që ofrohen sidomos nga prindërit. Këta të fundit duhet të jenë më të komunikueshëm me fëmijët e tyre dhe të mos ushtrojnë presion të detyrueshëm për të hequr dorë nga dëshirat e tyre. Shpesh herë një detyrim i tillë i përdorur nga prindërit i shtyn më tepër adoleshentët të bëjnë të kundërtën e asaj që i urdhërojnë. Në ditët e sotme adoleshentët kanë më tepër mundësi të shohin shumëllojshmëri kulturash, dhe të priren për ti imituar ato. Dëshira për të bërë pjesë në një subkulturë mund të jetë e përkohshme dhe të zgjasë deri në disa muaj e cila shihet si një fazë eksperimentale. Ndërkohë me kalimin e viteve, këta adoleshentë do të kenë mundësi të ndëgjegjësohen dhe të shohin më qartë prespektivat e jetës. Pikërisht këtë element kryesor duhet të kenë parasysh edhe prindërit. Shqetësimet e tyre janë mëse normale pasi vetë jeta e paraqitur është e përbërë me rreziqe të shumta, si droga prostitucioni, vetvrasja, etj.. Flokët e gjatë tek djemtë, tualeti i rënduar te vajzat, veshja me të zeza, byrzylykë të shumtë në duar, vathë të vendosura në pjesë të ndryshme të trupit, shihen si simbole jo të pëlqueshme për prindërit, të cilët adoleshencën e tyre e kanë kaluar duke u veshur dhe sjellë në mënyrë të njëjtë dhe reptësisht të kontrolluar. Një subkulturë e njohur nga prindërit është ajo e Hipive, e cila është shfaqur në Amerikë që në vitet 1960. Etiketimet negative që i bashkangjiten kësaj subkulture meret si e dhënë për të gjitha subkulturat e tjera. Hipitë njihen gjërësit për sjelljen e tyre rebele, veshjet karakteristike si dhe përdorues të mariuanës. Duke patur këtë model , prindërit e adoleshentëve priren të friksohen se fëmijët e tyre do të rebelohen duke bërë një jetë devijante ashtu siç kanë bërë dikur Hipitë. Nga ana tjetër janë mësuesit, me të cilët adoleshentët mund të konfliktohen. Konflikti është gjithshtu i bazuar në veshjen dhe sjelljen e adoleshentëve që ndjekin këto subkultura. Shumë shkolla vitet e fundit i kanë dhënë zgjidhje këtij problemi duke vendosur si rregull, veshjen e uniformës nga të gjithë nxënësit. Në pikën 6 të rregullores është ky rregull: Ndalohet veshja ekstravagante dhe me tualet të theksuar për nxënësit. Uniforma është e detyrueshme. Por jo të gjitha shkollat kanë këtë rregullore, ndaj konflikti midis mësuesve dhe nxënësve është më i lartë.

Adoleshenca është mosha e cila ka nevojë për një përkujdesje të veçantë. Fazat eksperimentale të kësaj moshe shpesh herë janë kalimtare, por për aq kohë sa ajo zgjat nevojitet të shihet me kujdes dhe të organizohet një bashkëpunim midis prindërve dhe mësuesve. Gjithashtu shihet e nevojshme vendosja e veshjes së uniformës në të gjitha shkollat, si një mënyrë për të anashkaluar konfliktet që lindin për shkak të veshjes. Megjithatë konfliktet janë të pashmangshme, por zgjidhja duhet të bëhet në bazë të njohurive të sakta, dhe komunikimit të përshtatshëm. Prindërit dhe mësuesit nuk mund të detyrojnë adoleshentët të ndryshojnë mendim apo sjellje, por mund ti paraqesin alternativa zgjedhjesh. Në këtë mënyrë pasojat do të jenë më fitimprurëse për të gjithë.

%d bloggers like this: