Shkova, Pashë, Qëndrova

Profil

Nga Kelvin Nikolli

“Isha gjashtëmbëdhjetë vjeç kur ika nga shtëpia drejt Greqisë.” Me këto fjalë fillon historinë e tij Kastriot Nikolli, emigrant prej njëzet vitesh në Greqi. Kastrioti u lind në fshatin Orosh të Mirditës në vitin 1975. “Jeta në Mirditë ishte shumë e vështirë, sidomos kur ra diktatura komuniste. Vitet nëntëdhjetë ishin një çoroditje për çdo shqiptarë sidomos për të rinjt.” Thotë ai ndërsa i jep makinës së tij. Kastrioti e la Shqipërinë dhe u nis drejt Greqisë në vitin 1991. I pyetur se cilat ishin arsyet që u nis drejt Greqisë ai me buzëqeshje përgjigjet “ Shiko, shumë të rinj asokohe ikën sepse kërkonin një jetë më të mirë, ose dëshironin të kishin disa para në gjep, unë ika sepse kërkoja aventurë. Isha i rrufgjueshëm, i papërmbajtur. Isha i mërzitur me fshatrat e vogla të Mirditës apo edhe me Tiranën që e kisha vizituar disa herë”.

 Si shumica e shqiptarëve që kishin lindur dhe ishin rritur nën regjimin komunist, ai nuk kishte ndonjë informacion konkret për botën e jashtme, nuk dinte se çfarë kulture apo zakonesh kishte shteti drejt të cilit ai ishte nisur. Kastrioti tregon sesi me një grup shokësh nga trevat e veriut u nisën drejt jugut të vendit për të kaluar pastaj në shtetin Helen. “ U nisa nga muaj Maj i nëntëdhjetë e njëshit me disa djem nga Laçi dhe Mirdita. Dy prej tyre kishin njerëz në Athinë. Familjet e tyre kishin qënë të përndjekur nga regjimi dhe disa nga familiaret e tyre ishin arratisur drejt shteteve të huaja.” Kastrioti tregon sesi me ditë të tëra nën një udhëheqje nga dy burra nga Korça ecën për nëpër malet e juglindjes së Shqipërisë për të kaluar në tokën Greke. “ Mbaj mend se kemi shkuar deri në Leskovik dhe në aty na kanë pritur dy Korçar të cilët i njihte njëri nga shokët e rrugës. Me to kemi ecur me ditë të tëra. Kryesisht në afërsi të lumit Vjosa deri sa kemi dalë në një vend që quhej Vavilikon”.

Destinacioni i tij nuk ishte Athina por Selaniku. Njëri nga shokët që kishte njerëz në Greqi i kishte thënë atij se Selaniku ishte qytet më i thjeshtë sesa Athina dhe se kontrollet e policisë ishin më të rralla në këtë aty. “Doja të shkoja në Selanik. Nuk kisha frika nga gjë, përveç faktit se mund të më kapte policia dhe të më kthente përsëri në Shqipëri. I kisha ikur tim eti pa e pyetur dhe pa i thënë se ku po nisesha. Nqs do kthehesha e dija se do më zhdepte në dru.” Thotë ai duke qeshur. Në Selanik, Kastrioti gjen punë shumë shpejt si murator. “ Mbas një jave në Selanik, duke folur me shenja dhe duke kërkuar pa pushim, gjeta punë tek një pronar toke pak kilometra larg qytetit. Quhej Aleksandros, ishte diku aty tek të pesëdhjetat. Nuk ishte njeri i keq, por ishte shumë nevrik dhe ka patur raste që edhe më ka bërtitur dhe një herë më ka dhënë edhe një shqelm by…..”. Kur pyetet nëse pronarët grek e kanë keqtrajtuar atë dhe emigrant të tjerë si ai, ai përgjigjet “ Shiko nuk mund të them se ka qënë e lehtë për ne shqiptarët në tokën greke në fillim. Greket nuk na njihni edhe pse ishim fqinj me ta, ata nuk kishin patur kontakt me ne që prej dekadash. Varej edhe se kush të punësonte dhe sesi ti ja bëje atë punë. Unë siç thashë isha edhe pak mistrec dhe ndonjëherë ngutësha për ta përfunduar punën dhe gjuhen nuk e dija mirë për të biseduar me Aleksandrosin”.

Kastrioti kaloj disa muaj në Selanik duke punuar në punë të ndryshme njëher murator, pastrues, njëher edhe një punë të shkurtër si roje e një magazine. Mbas një viti në Selanik, ai vendos të levizi drejt Kretës. Atje kishin emigruar, pak muaj pasi kastrioti la Shqipërinë edhe vëllaj i tij Marjani bashkë me një kushëririn e tyre. Gjatë nisjes për në Kretë, ishullin më të madh të Greqisë dhe i dyti në madhësi mbas Sicilisë në mesdhe, Kastrioti kujton se si me pak dinakëri kishte hypur në bordin e një anije që po udhëtonte nga një port i Selanikut drejt ishullit të Kretës. “Mbërrita në një port afër qytetit. Me vete kisha vetem një çantë me disa rroba dhe ushqime dhe një pashaportë greke fallco që ma kishte bërë një shok. Nuk kisha shumë shpresa tek pashaporta pasi nuk ishte bërë mirë. Tek shkallët e anijes ishte roja që kërkonte pashaportat dhe bileten të cilën e kisha blerë me ndihmen e një vajze greke. Dija pak greqisht por jo për të kaluar si grek. Shansi më erdhi kur në anije po hipnin një grup futbollistash. E dija që ishin futbollist sepse njërin nga ata e kisha takuar njëher në një bar dhe ishte me prejardhje maqedonase. Unë ju afrova atyre për tu dukur si një nga ta. Roja më ndaloj dhe më kërkoj pashaportën. I thashë se pashaportën e ka një shok i skuadrës që ishte futur para meje dhe se unë isha mesfushori dhe se skuadra do kishte probleme nqs nuk do isha me to. Më duket se ju duka si futbollisti italian Inzagi pasi isha dhe shumë i dobët dhe flokët i kisha të gjata. Ai qeshi dhe më tha vazhdo”.

 Si në Selanik edhe në Kretë Kastrioti gjeti punë shpejt. Tashmë me gjuhën greke të përmirësuar dhe në një shtëpi me vëllain dhe kushëririn, atij sikur po i ecte fati në fshatin e vogël që quhej Cucërr. Por kjo gjendje nuk do zgjaste shumë pasi ai u apasionua mbas lojrave të fatit deri sa ju kthyen në një llojë obsesioni. “ Bixhozin e fillova nga viti nëntëdhjetë e katër. Kisha luajtur edhe më përpara në Selanik, por në Kretë u marrosa mbas tij. Nuk e di, ndoshta ngaqë isha më i sigurtë mbasi kisha edhe vëllain afër apo ndoshta se bosi im i ri ishte një njeri shumë i mirë dhe më shpërblente për punën që bëja si ndërtues në firmën e tij! Por e di që sa mbaronte java ato Dhrami që merrja i leja në lojrat e fatit. Madje njëher mbaj mend se nuk kisha asnjë Dhrami në gjep dhe e vetmja gjë që më kishte ngelur për të ngrënë në shtëpi ishte një patate.” Thotë duke qeshur me të madhe.

Mirë po ky obsesion nuk do zgjaste. Mbas pesë vjetësh në Kretë Kastrioti njeh një vajzë nga Rumania dhe dashurohet me të. Vajza quhej Maria dhe ishte komplet ndryshe nga Ai. “ E njoha në një bar. Ishte banakiere aty. Ishte sezoni turistik dhe në Kretë mblidhen shumë turistë të huaj, sidomos anglez dhe gjermanë. Ajo fliste anglisht dhe në fillim mendoj se isha ndonjë italian pasi isha i dobët dhe zeshkan. Por më vonë u njohem dhe u lidhëm. Ajo më bëri ta lej bixhozin”. Kastrioti mbas tre vitesh u martua me Marian dhe ata kanë dy fëmijë “Lazdrin” ( Në emër të babait të tij) dhe Markon.

Sot Kastrioti është kthyer në Shqipëri mbas 21 vitesh për të vizituar të  ëmën dhe fshatin ku ka lindur. I pyetur se përse nuk ka ardhur më përpara pasi ai e ka fituar nënshtetësinë greke në vitin 2003 ai përgjigjet “ U mësova në Kretë. Kur ika isha kalama. Më pushtoj Greqia dhe sidomos Kreta. Jeta ime është aty tashmë dhe në Kretë ndihem si në Mirditë. Kretasit ndryshojnë nga grekët e tjerë. Ata janë si ne. Janë si malësorët e veriut. Janë të mikpritshëm dhe bujar dhe vertet trima dhe çka është më e mira më duan sikur të isha një prej tyre. Një plakë në fshatin Cucërr më quan Roberto, sikur djalin e saj që e ka në Britani. Ndihem sikur Shqipëria nuk më ka dhënë ndonjë gjë, përveç diktaturës dhe një copë bukë. Nuk është se nuk e dua vendin tim, e dua atë, por jam mësuar atje dhe nuk mund të jetoj këtu”. Edhe përse i distancuar nga Shqipëria për gati dy dekada ai thotë me krenari se djemve po ua mëson gjuhen shqipe dhe se prindërit i ka ftuar ta vizitojnë atë në Kretë.

U nisë adoleshent nga Shqipëria. Pa asnjë gjë me vete veçse rrobave në trup dhe disa të holla. I pajisur me etjen për aventurë, kokëfortësinë dhe guxim ai u kthye nga një djalosh nga veriu i shqipërisë në një emigrant dhe nga një emigrant që endej sa andej këndej në një familjar dhe punëtor i drejtë.

 

 

%d bloggers like this: