Ulja e kredive të miratuara nga bankat e BE, mund të frenojë rritjen ekonomike në rajon

Nga Online News

WASHINGTON –  Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi sot se bankat europiane janë nën trysni që të ruajnë kapitalet e tyre dhe mund të ndërmarrin një ulje drastike të sasisë së kredive të miratuara për dy vitet në vazhdim duke kushtëzuar kështu rritjen e ekonomisë në rajon.

Tkurrja e parashikueshme e kredive shihet si faktori kryesor i recesionit që pritet të vazhdojë në Europë përgjatë gjithë këtij viti, teksa 2013 do të shënojë një rritje pothuaj të papërfillshme, sipas raportit të FMN publikuar sot në kryeqytetin amerikan. Sipas këtij raporti, FMN parashikon se në të 17 vendet që përdorin euron do të vërehet një rënie mesatare e ekonomisë me 0.3% këtë vit dhe një rritje prej vetëm 0.9% gjatë tërë 2013.

Por ngadalësimi i ekonomive të eurozonës mund të shndërrohet në rrokullisje nëse qeveritë europiane nuk u qëndrojnë besnike premtimeve të tyre për të ulur deficitin në buxhete dhe nuk mendojnë për të krijuar fonde emergjence.

‘Lidërët europianë kanë ndërmarrë hapa pozitive për të ristrukturuar sistemet e tyre financiare’ u shpreh FMN. Banka Qendrore Europiane ka ofruar pothuaj 1 trilion dollarë kredi me interesa shumë të ulta për bankat europiane që nga dhjetori i vitit të kaluar. Qeveritë e reja të Itali e Spanjë kanë hedhur hapa të rëndësishëm në uljen e deficiteve publike dhe në ristrukturimin e tregjeve respekive të punës.

Nëse qeveritë e vendeve të BE nuk tregohen rigorozë në zbatimin e këtyre planeve, bankat europiane mund të ulin ndjeshëm kreditë e miratuara, citon raporti. Sasia e kredive do të ulej me 4.4% dhe ekonomia në eurozonë do të pësonte një rënie prej 1.4% gjatë vitit 2013.

Por hapa të guximshëm si mbyllja apo ristrukturimi i bankave të dobëta dhe përdorimi i fondeve të emergjencës në favor të institucioneve kryesore bankare, do të krijonte premisat për një rritje prej të paktën 0.6% më shumë se parashikimet aktuale në vendet e BE, përfundon raporti i FMN.

%d bloggers like this: