1 Comment

Chelsea trondit Barcelonën

Nga Online News

Kapiteni katalanas Carles Puyol (majtas) në përballje me Didier Drogba (djathtas) mbrëmë në sfidën e Stamford Bridge.

Kapiteni katalanas Carles Puyol (majtas) në përballje me Didier Drogba (djathtas) mbrëmë në sfidën e Stamford Bridge.

Blutë e Chelsea do të udhëtojnë të paktën me kryet lart drejt Barcelonës për ndeshjen e kthimit të gjysmë finaleve të UEFA Champions League, pas fitores së mbrëmshme 1-0 kundër favoritëve absolutë të turneut.

Trajneri italian Roberto Di Matteo (i cili vazhdon të përkufizohet si i përkohshëm në Stamford Bridge!!) arriti të mishëronte dhe njëherë më së miri karakteristikat taktike që e kanë bërë futbollin e vendit të tij në mos tërheqës, të paktën të suksesshëm. Kujdes të jashtëzakonshëm dhe organizim në fazën mbrojtëse, duke u munduar para së gjithash të mos pësonin gol në fushën e tyre, ky ishte plani i të zotërve të shtëpisë i cili funksionoi me sukses.

Edhe në ndeshjen e mbrëmshme, Barça si zakonisht dominoi kontrollin e topit duke arritur të shënonte një statistikë prej 72% në supremaci territoriale. Por Messi&Co, ndryshe nga ndeshje të tjera, nuk arritën ta shndërronin këtë supremaci në raste të pastra për gol me të njëjtën shpeshtësi. Nga ana tjetër duhet pasur parasysh se edhe kur luan “keq!”, mekanizmi blaugrana është në gjëndje të detyrojë një portier të kalibrit të Petr Cech të derdhë djersë për të merituar bukën e gojës! Mbrëmë në fakt numri një çek meritoi përmendjen duke neutralizuar të paktën gjashtë goditje në portën e tij (të paktën aq arriti të numëronte autori i këtyre rradhëve).  Aty ku nuk arrinin dorezat e portierit, do të arrinte në fillim këmba e Ashley Cole, që largonte topin nga vija fatale, do të vinte më pas në ndihmë shtylla në goditjen e Pedro-s dhe do të vërtetohej fati i mirë i bluve nga goditja prej diletanti e Sergio Busquets.

Goli i vetëm erdhi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Kundërsulmi i Chelsea-t fillonte me Frank Lampard që në mesfushë i shkëpuste topin një Messi anemik e të plogësht, vazhdonte me shkëputjen në krah dhe pasimin perfekt të Ramires (ndoshta më i miri në fushë i të dy ekipeve) dhe përfundonte me goditjen e saktë të snajperit Drogba i cili vazhdon të konfirmohet si njëri prej sulmuesve më të mëdhenj të të gjitha kohërave në turneun kryesor të futbollit në kontinentin tonë.

Takimi i kthimit do të zhvillohet në Camp Nou të kryeqendrës katalanase, në 24 prill. Ndeshja tjetër sheh përballë kryerivalët e Real Madrid të cilët përballen me gjermanët e Bayern Munchen pas humbjes në Allianz Arena me rezultatin 2-1.

Por java e ardhshme në Champions League, duket pafundësisht larg për dy gjigandët e gadishullit iberik. Të shtunën 21 prill në orën 20.00 në fakt na pret ‘El Clasico’!!

One comment on “Chelsea trondit Barcelonën

  1. […] Onlinenewsalbania Share this: lajmet sporive ,lajmet sport shqip , lajme sportiveNdarjeEmailFacebookTwitterLike this:PëlqejeniBëhuni i pari që e pëlqen këtë post. […]

Comments are closed.

%d bloggers like this: