Një shpikje drejt lirisë

Nga Kujtim Xhaja

Teknologjitë e reja kanë zënë një vend thelbësor në shoqërinë e ditëve të sotme. Televizioni satelitor, teknologjia e lëvizshme celulare dhe fuqia gjithnjë në rritje e internetit, nuk po ndryshojnë vetëm mënyrën e të jetuarit, por edhe konceptimin mbi shumë gjëra që na rrethojnë. Këto zhvillime sollën me vete një ndryshim të madh në komunikimin dhe sjelljen e individëve..

Shoqëria shqiptare nuk mbeti jashtë këtyre zhvillimeve globale dhe shumë shpejt përqafoi këto teknologji të reja duke bërë që njerëzit  të mos e konceptojnë më jetën e tyre pa këto mjete.

Po të hedhim një vështrim në histori, ndër vite do të gjejmë ca “Çudira shqiptare”, që në ditët e sotme do na duken mjaft qesharake.

Ato ishin përpjekjet e disa shqiptarëve për të shijuar pak më shumë liri, pak më shumë pavarësi në kohën kur ajo, “liria” I nënshtrohej censurës së kohës.

Kush nuk e kujton antenat dhe “grupin-kanoçe” të diktaturës shqiptare. Ajo ishte një kuti e vogël llamarine, nëpërmjet së cilës në ekranin e televizorit shfaqeshin kanalet televizive të vendeve fqinje, por që mbarte me vete rrezikun e madh se nëse zbulohej autori përfundonte në burg me akuzën e agjitacion-propagandës..

Ishte viti 1973 ku,televizorët e parë bardh e zi në Shqipëri të ardhur nga Jugosllavia ishin kryesisht të markës “Iliria”.

Në Jugosllavi, këto televizorë prodhoheshin me grupin UHF, por me një vendim të qeverisë të asaj kohe, ky grup u hoq dhe televizorët mbetën vetëm me banden VHF, domethënë të aksesueshëm  për të parë vetëm Tiranën.

Në këtë formë lindi ideja dhe nevoja e kanoçes.

Kanoçja nuk kishte një  autor te caktuar, ajo ishte një kopjim I pastër I  skemës së një gjeneratori që gjeneron një frekuencë të caktuar UHF.

Në shumë pak kohë, shqiptarët filluan të ndiqnin fshehtas televizionet italiane dhe jugosllave si “Jugosllavia 2″, ose “Beogradi 2″, siç quhej në atë kohë dhe “Rai due”, duke prekur në këtë mënyrë një copë të atij realiteti të ndryshëm nga I joni

Nga ky fenomen lindi dhe domosdoshmëria e dërgimit të njerëzve enkas për të kontrolluar tarracat e lagjeve të dyshuara.

Nën frikën e zbulimit, shumë familje shqiptare ndiqnin me ëndje festivalin e San Remo-s, apo dhe hit-paradën e famshme të televizioneve jugosllave, duke I bërë këto të fundit pjesë të zakoneve të tyre te përditshme.

Cdo gjë që ndodhte në vëndet e huaja transmetohej me anë të kësaj kanaçeje.

.Kjo vegël e prodhuar në fshehtësi është kthyer tashmë në një relikë të atyre kohrave të vështira.

Pas 25 vjetësh, shqiptarët I kujtojnë me humor kohrat e televizorëve bardh e zi “Iliria” dhe “antenave me kanoçe”.Duket se ato I përkasin së shkuarës.Vendin e tyre tashmë e ka zënë teknologjia HD, nje teknologji me rezolucionin më të lartë të figurës dhe zërit, si dhe dimesioneve nga më të ndryshmet.Tanimë, kushdo është në gjendje të shoh një mori televizionesh shqiptare dhe të huaja njëkohësisht, pa patur frikën e “zhurmuesëve”.

Prapëseprapë ajo shpikje do të ngelet gjatë në memorien e shqiptarëve, sepse ishte një shpikje që iu dhuroi atyre lirinë e aqdëshiruar për të parë dhe per të ditur më shumë!

%d bloggers like this: