Çmimi i madh i Bahrain-it: “Fluturon” Nico Rosberg

Nga Erblin Vukaj

Piloti i dytë i Mercedes-it, jo vetëm që përmirësoi kohën e tij, por realizoi më të shpejtën në sesionin e dytë të provave të lira. Rosberg, theu kohën e Lewis Hamilton-it, që në mëngjes ishte më i shpejti. Finlandezi me pasaportë gjermane realizoi kohën 1’32″816, duke ju shkëputur dy pilotëve të Red Bull-it Mark Webber-it (1’33” 262) dhe Sebastian Vettel-it (+00”709).
Lewis Hamilton ishte më i shpejti në sesionin e parë të provave të lira, të Çmimit të Madh të Bahrain-it, gara e katërt e kampionatit Botëror të Formula 1. E planifikuar për të dielën, çmimi rivjen pas pezullimit të vitit të kaluar për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë që sillte gjendja e rënduar politike e Bahrain-it.
Piloti britanik i McLarenit në sesionin e parë, arriti ta përshkonte pistën për 1’33″572, dhe ishte më i shpejti, por në sesionin e dytë, britaniku nuk arriti ta thyente kohën e tij, gjë që e bëri mjaft lehtë piloti gjermano-finlandez i Mercedes-it me afërsisht 600 të mijtat e sekondit më shpejt. Nico Rosberg vjen pas triumfit të tij në Kinë, ku arriti fitoren e parë në karrierë. Ndërkohë pas tij u renditën Webber (+00”446); Vettel (+00”709), vetëm vendi i katërt për Hamiltonin (+00”931), pas tij Michael Schumacher, Button dhe Kobayashi. Ferrari sërish i ngadaltë, vend i 8-të dhe i 12-të, për Alonso-n dhe Massa-n.
Në pritje të sesionit të tretë dhe të kualifikueseve, gara për Çmimin e Madh të Bahrain-it premton spektakël, pasi pista e Sakhir është e gjerë dhe ka mjaftë sektor të shpejtë. Provat kualifikuese për garën e Sakhir, do të bëhen të shtunën, në orën 13:00, ndërsa gara do të zhvillohet të dielën në orën 14:00. Pista e Sakhir, është e ndërtuar në mes të një shkretëtire, dhe paraqet rrëzikun e stuhive të rërës. Ajo klasifikohet si një pistë e shpejtë, afërsisht e njëjtë me pistën në Melburne, dhe me kthesa të forta ku është e nevojshme një konsum i madh i gomave. Një pistë ku gjithmonë parakalimet dhe spektakli nuk ka munguar.

%d bloggers like this: