Çmimi i madh i Bahrain-it: Hamiltoni më i shpejti në provat e para të lira

Nga Erblin Vukaj

Lewis Hamilton ishte më i shpejti në sesionin e parë të provave të lira për Çmimin e Madh të Bahrain-it, gara e katërt e kampionatit Botëror të Formula 1. E planifikuar për të dielën, ky Çmim rivjen pas pezullimit të vitit të kaluar për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë që sillte gjendja e rënduar politike e Bahrain-it.
Piloti britanik i McLaren shënoi kohën e tij më të shpejtë 1’33″572 para dy herë kamponit të Botës Sebastian Vettel, i cili ishte më i ngadaltë se ai me vetëm 305 të mijtat e sekondit. Surprizën e ka bërë Paul Di Resta, i Force-India-s, i cili arriti të pozicionohej në vendin e tretë (+0″578), pas tronditjes së djeshme ku 4 mekanikët e ekipit panë t’u shpërthente afër makinës së tyre një bombë molotov që për fat të mirë nuk ka shkaktuar asnjë dëm qoftë të automjetit ashtu dhe të pjesëtarëve të ekipit. Më pas, në ndjekje të Di Restas, u pozicionua Nico Rosberg me Mercedes-in e tij (1’34 “249), i cili arriti fitoren e parë në karrierë të dielën e kaluar në Çmimin e Madh të Kinës. Me McLaren-in tjetër, për Jenson Button, vendi i pestë (1’34” 277).
Ndërsa mbetet gjithmonë prapa Ferrari, me vendin e trembëdhjetë të Fernando Alonso-s (1’35 “436) dhe të pesëmbëdhjetin të Felipe Mass-ës (1’35” 719).
Në pritje të dy sesioneve të tjera dhe të kualifikueseve, gara për Cmimin e Madh të Bahrain-it premton spektakël, pasi pista e Sakhir është e gjerë dhe ka mjaftë sektor të shpejtë. Për pilotët e McLaren-it kjo pistë mund të jetë e duhura për të marrë një tjetër sukses, dhe për t’ju shkëputur Fernando Alonsos në rankimin për pilot, duke e bërë kampionatin të diskutueshëm vetëm brenda skuadrës. Provat kualifikuese për garën e Sakhir, do të bëhen të shtunën, në orën 13:00, ndërsa gara do të zhvillohet të dielën në orën 14:00. Pista e Sakhir, është e ndërtuar në mes të një shkretëtire, dhe paraqet rrëzikun e stuhive të rërës. Ajo klasifikohet si një pistë e shpejtë, afërsisht e njëjtë me pistën në Melburne, dhe me kthesa të forta ku është e nevojshme një konsum i madh i gomave. Një pistë ku gjithmonë parakalimet dhe spektakli nuk ka munguar.

%d bloggers like this: