El Clasico e shumëpritur, luhet për gjithcka

(Lexo shkrimin origjinal) Nga Oldi Mele

Sot në orën 20:00 në “Camp Nou” do të startojë ndeshja më e rëndësishme e La Ligës pasi do të përballen Barcelona dhe Real Madrid në një sfidë për “ Jetë a Vdekje”. Në tempullin katalanas do të ndizen prozhektorët për lojtarët më të mirë në botë dhe pritet një ndeshje me rekord shikueshmeri në mbarë Planetin. Kjo sfidë natyrisht që gjithmonë është ndeshje e madhe, por kësaj radhe rëndësia është maksimale, kur dihet se Barcelonës i duhet patjetër të fitojë nëse dëshiron ti rrisë gjasat për titull, ndërsa Realit i duhet fitorja nëse dëshiron që në njëfarë mënyre ta sigurojë titullin e La Ligas.

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka bërë një aludim të madh se do të qëndrojë në Camp Nou, pasi bosi Blaugran ka zbuluar se në rast të ndonjë triumfi apo barazimi të Real Madridit në El Clasico, ai do t’ua urojë rivalëve titullin dhe do të përgatitet për vitin e ardhshëm.

“ Nëse Reali fiton apo nxjerr barazim, atëherë titulli është i tyre. Fitorja është opsioni i vetëm për ne dhe nëse jo, ata bëhen kampionë. Unë do t’i përgëzoja dhe do të përgatitesha për vitin e ardhshëm”, ka theksuar Guardiola.

Barça hyn në El Clasico me katër pikë më pak se sa lideri Real Madrid dhe duke marrë parasysh se do të mbesin vetëm katër ndeshje pas të shtunës në La Liga, shumë analistë besojnë se Jose Mourinho do të luajë për barazim në Camp Nou, por gjithcka në këtë betejë është për t’u shijuar.

%d bloggers like this: