Pole Position! Rikthehet Sebastian Vettel

Nga Erblin Vukaj

Sebastian Vettel ka arritur t’i marrë vendin e parë të kualifikueseve, Lewis Hamilton-it. Kampioni i Botës, i është kthyer sërish vendit të parë, pas 3 garave mungesë. Me kohën 1″32″422, gjermani arriti të thyente kohën e mëparshme të Hamilton-it, i cili në provën e fundit i shkoi mjaft afër kohës së tij, por nuk mundi të shkonte më shpejt. Vetëm 9 të qindat e sekondit më shumë, dhe Hamilton u rendit i dyti. Pas britanikut, u rendit piloti tjetër i Red-Bull-it, Mark Webber (+00″215). Ndërsa i kushtoi rëndë një bllokim gome në kthesën e fundit, Jenson Button-it, vetëm vendi i katërt për të (+ 00”289).
Javë zhgënjyese për Michael Schumacher-in, i cili nuk arriti të kalonte as në sesionin e dytë të kualifikueseve. Mjaft i ngadaltë, dhe me dy gabime në frenim, legjenda gjermane nuk shkoi më shumë se vendi i 18-të (+ 02”443). Kështu i takoi Nico Rosberg-ut ta mbante lart skuadrën e tij, me vendin e pestë (+00”399), duke mbajtur kështu shpresat për një paraqitje si ajo e garës në Kinë.
Vazhdon të shfaqet dobët ferrari. Felipe Massa, që ende nuk ka marrë asnjë pikë në 3 garat e zhvilluara, nuk mundi të kalonte në sesionin e dytë të kualifikueseve, duke u renditur i katërmbëdhjeti. Ndërsa Fernando Alonso, në sesionin e tretë, nuk doli fare në pistë për të përmirësuar kohën e tij, duke u pozicionuar automatikisht i 9-ti. Mendohet se kjo sjellje e Ferrarit të ketë qenë e detyruar për të ruajtur gomat e buta për garën e nesërme.
Vazhdojnë të konfirmojnë pilotë të ri si Ricciardo (vendi 6, Toro Rosso); Grosjean (vendi 7, Lotus) e Perez (vendi 8, Sauber); të cilët ishin jashtë parashikimeve për këtë garë. Për Mass-ën dhe Raikkonen-in “nuk duhej të ishin aq të shpejtë”.
Një spektakël i vërtet pritet në garën e nesërme të Bahrain-it, (ora 14:00) pasi katër vendet e para janë vetëm Red Bull dhe McLaren (1.Vettel; 2. Hamilton; 3. Webber; 4. Button). Në një pistë si ajo e Sakhir, e ndërtuar në mes të një shkretëtire, ku stuhitë e rërës janë gjithnjë prezente, priten vetëm duele dhe parakalime. Pista klasifikohet si një pistë e shpejtë, afërsisht e njëjtë me pistën në Melburne

%d bloggers like this: