Urban Jungle

Rubrikё nga Edlira Kalaja

                                                                                                                       Episode 2

Mund të themi që ne tiransit kemi një transport urban për të qenë. Më kujtohet verën e shkuar sesi ngjiteshin njerëzit e lumtur, sepse aty mund të gjenin pak fresk.

Eh, autobuzat tanë më në fund kanë edhe kondicioner.

Por jo vetëm kaq, ata kanë edhe dy – tre dyer, në të cilat shënohet lart me të madhe: ‘Hyrje’, ‘Dalje’. Kanë vende të posaçme për të moshuarit e për gratë shtatzëna. Kanë gjithashtu plot stacione, madje edhe një orar, ‘askund të afishuar’, por gjithsesi, e kanë.

Mund të themi që në raport me transportin paraardhës, i tanishmi është vërtetë modern, gati gati me standarde Evropiane (se ne vdesim për pak Evropë..)

Në gjithë këto ndryshime që kanë ndodhur vitet e fundit me autobuzat kryeqytetas, mbase për hir të traditës, disa gjëra të tjera duket se nuk kanë lëvizur nga vendi.

Sigurisht që ndër to është faturinoja: Djem të rinj, në moshë të mesme, madje ndonjëherë edhe të moshuar, janë besnikët e këtij profesioni.

Nëse do ta përshkruaja shkurtimisht faturinon;  Ai është një mashkull elegant, i veshur me uniformë, i parfumosur dhe me një zë prej tenori.

Më vjen ndërmend momenti parë kur prisja në stacion dhe erdhi autobuzi i ri fringo. Menjëherë, sytë të shkonin drejt atyre tabelave, ‘Hyrje’ për nga dera e parme dhe ‘Dalje’ për nga ajo e pasme. Sigurisht asnjë nga ne nuk priste që njerëzit të ambientoheshin menjëherë me këto rregulla të ‘çuditshëm’, ndaj me tu hapur dyert e autobuzit tabelat treguese u fshinë si me magji. Të gjithë hipnin e zbrisnin nga t’ua kishte qejfi.

Por mua më tërhoqi vëmendjen një zë prej tenori, i cili me siguri ishte ekzaltuar pamasë nga autobuzi i ri, ndaj dhe ia kishte marrë ‘këngës’. Ai thërriste me të madhe: ‘Këtej zotëri, andej zonjë, hyrja është andej!!’ – ai ndodhej pranë derës së parme, zbriste poshtë e tregonte me gisht për nga dyert e autobuzit.

Dukej të ishte i zellshëm në punë. Njerëzit nuk u bezdisën nga zëri i tij, madje dukej sikur nuk e dëgjonin fare, deri kur aty jashtë u shfaq një djalë.

Djali duhet të ishte ndonjë i fortë lagjeje. Me shikim prej skifteri dhe me zë prej baritoni iu kthye faturinos i indinjuar duke i thënë se ‘sytë në ballë i kishin’.

Pasi hipëm të gjithë në autobuzin me kondicioner, u mbështetëm pas njëri tjetrit dhe me majat e gishtave në njërën anë mbanim çantën e në tjetrën cepin e ndonjë tubi apo sedileje. Autobuzi, përpara se të nisej vendosi të priste nja cerek ore, (me siguri kështu ia thoshte orari), kështu që teksa ne largoheshim, në stacion mbinin njerëz si të ishin lule dele.

Sigurisht autobuzi në të cilin po udhëtonim, përngjante me një tufë lulesh te paketuar. Por harmonia e sapo krijuar do të tronditej shumë shpejt nga disa elementë të tjerë.

Si fillim, tek vendi i të moshuarve, ndodhej një djalë i ri në njërën anë, e një grua në anën tjetër. Tek sediljet e tjera nuk di të them se kush ishte ulur, sepse e kisha pamjen e zënë. Ngjitur kishte plot të moshuar të cilët vështronin tërë mëri ato që qëndronin ulur. Ishte verë dhe kondicioneri aq i lakmuar dukej të mos punonte mirë. Djersa rridhte si shishe parfumi e thyer, e në fytyrat lexohej qartë padurimi për të mbërritur në destinacion, sidomos pasi aty pranë do të kalonte ai, faturinoja.

‘Bileta, Abone?!’ – këto ishin fjalët e përsëritura me zërin e tij potent. Njerëzit menjëherë kërkonin një shpatull për tu mbështetur apo dikë për të përqafuar, sepse të nxirrje abonenë, apo lekët për biletë, në kushtet e një buqete aq të ngjeshur ishte sipërmarrje e vështirë. Si të mos mjaftonte shkalla e vështirësisë rritej kur afrohej faturinoja. Ai futej mes njerëzve, u shkonte atyre ngjitur dhe u kontrollonte abonenë e u jepte biletën. Në trupin e tij elegant mund të dalloje fare mirë hartën e djersës, të ndjeje parfumin e tij e pse jo, kur të kalonte pranë, të të parfumoste edhe ty.

Në mes të gjithë kësaj panorame, sigurisht nuk mund të mungonte trafiku, duke e bërë udhëtimin akoma më të gjatë.

Pjesa e fundit e atij udhëtimi nuk më kujtohet mirë, por momenti kur zbrita në stacion mbetet i gjallë edhe i gjatë në memorien time. Ishte një moment triumfues, edhe këtë e ndjeje sapo afroheshe tek dera e daljes. Njerëz që zbrisnin plot kërshëri e të tjerë që hipnin njëkohësisht duke u përqafuar kështu sërish.

Në jemi njerëz që i duam traditat dhe i ruajmë ato, madje edhe ato të rejat, ndaj udhëtimi me autobuzat urbanë mbetet i njëjtë, një udhëtim i paharrueshëm.

 

%d bloggers like this: