Jeans-et që shkaktojnë vdekje

Nga Iva Bërxolli

Quhet ‘sandblasting’ teknika e përdorur nga industria e veshjeve për të zbardhur xhinset dhe për t’iu dhënë atyre një pamje të vjetërsuar.

Copa i nënshtrohet goditjeve së rërës me ajër të komprimuar ndërkohë që grimcat e silicit të shpërndarë në ajër përbëjnë rrezik për jetën e punëtorëve.

Në fakt thithja e këtyre grimcave mund të provokojë patologji të rënda në frymëmarrje dhe në rast se punonjësit janë të ekspozuarpër një kohë të gjatë ndaj këtij ambienti të mbushur me pluhur mund të shkaktohen sëmundje vdekje prurëse si ‘silikozi’ apo kanceri në mushkëri.

Mbas kufizimeve të vendosura nga Bashkimi Evropian (përqindja e silicit në rërë nuk duhet të kalojë 1%) aktiviteti i prodhimit është zhvendosur në shtetet si Turqia, Bangladeshi dhe Kina, ku akoma nuk ekziston një dispozitë (rëra e përdorur zakonisht mund të përmbajë nga 90% deri në 95% silic).

Mbas ndalimit zyrtar të ‘sandblasting’ nga ana e shumë firmave ndërkombëtare  të modës, organizata Clean Clothes Campaign (prezente në 14 vende evropiane) vendosi të verifikojë në terren fjalët e këtyre firmave, duke dërguar disa hulumtues në 7 fabrika të Bangladeshit për të intervistuar 73 punonjës, gjysma e të cilëve përdornin këte teknike. Rezultatet e këtij sondazhi të bërë në 2012 ishin alarmuese: “Në asnjë nga 7 fabrikat ‘sandblasting’ nuk ishte hequr në mënyrë definitive dhe shpesh kryhej gjatë natës në mënyrë që të mos tërhiqnin vëmendjen”. Por nuk mjafton me kaq. Niveli i rrezikut ka mbetur i njëjti. Ndryshe nga ajo që deklarojnë publikisht, firmat nuk janë të disponueshme të ndryshojnë stilin e produkteve të tyre apo të modifikojnë kohërat dhe kostot e prodhimit për t’iu lejuar furnizuesve  të adoptojnë mënyra alternative të sigurta, me rezultatin se vazhdojnë të nxisin përdorimin klandestin të ‘sandblasting’. Për më tepër është zbuluar se  firmat e mëdha të modës si  H&M, Levi’s, C&A, D&G, Esprit, Lee, Zara e Diesel, kanë autorizuar këtë teknikë edhe pse deklaronin se në filialet e tyre ndërkombëtare e kishin hequr.

Kjo shoqatë u kërkon qeverive të marrin masa legjislative për të ndaluar ‘sandblasting’ dhe Bashkimit Evropian të ndalojë importin e xhinseve të zbardhura, me shpresën që një palë xhinse mos të jenë shkaku i vdekjes së asnjërit.

%d bloggers like this: