1 Comment

Ku i kanë lënë televizionet fëmijët?

Nga Kristi Petro

Mjafton të bësh një kalim të shpejtë të kanaleve televizive dhe kupton që asgjë nuk është e përshtatshme për fëmijët. Sot, jo të gjithë mund të kenë aparatura dixhitale, që falë ofertave të tyre kanë mundësuar pajisjen e një pjese të madhe të familjeve shqiptare me to. Në fakt nuk janë as të pakta rastet kur familje të tjera nuk kanë aparatura dixhitale në shtëpitë e tyre dhe nëse në këto shtëpi ka fëmijë atëhere ata do të duhen të qëndrojnë përpara ekranit për të parë telenovela, debate politike, emisione jo të përshtatshme për moshën e tyre ose do të duhet të mos shohin fare televizor. Sa ndodh kjo e fundit? Kam përshtypjen se rrallë. Fuqia e katërt vazhdon të ndikojë dita ditës dhe të bëhet një ‘kërcënim’ për fëmijët.

 

Në përgjithësi prindërit tanë janë munduar të na mbajnë larg programeve të papërshtatshme, të cilat ndikojnë negativisht tek ne. Studiues e psikologë të ndryshëm kanë dalë në të njëjtat konkluzione kur kanë mbrojtur tezën se efektet e situatave të ndryshme si psh. dhuna në media apo efektet e personalitetit si tiparet armiqësore dhe të ashpra, kombinohen me njera-tjetrën dhe ndikojnë në sjelljen agresive të femijës duke ndikuar në gjëndjen momentale të brëndshme dhe në vendimet e mëvonshme të jetës së tij. Televizioni u merr femijëve mjaft kohë nga argëtimi dhe aktivitetet sportive.

Donald Roberts dhe Ulla Foehr në librin e tyre me mediat dhe fëmijët shprehen se çdo prind duhet të jetë i përgjegjshëm për atë që fëmija i tij bën dhe duhet ta kontrollojë atë në mënyrë që rritja e tij të jetë sa më e shëndetshme. Fëmijët që shohin televizor me orë të tejzgjatura janë më pak të aftë fizikisht, priren më shumë drejt dembelizmit dhe ndryshojnë zhvillimin normal të trurit.

Orët e zgjatura përpara ekranit jo vetëm që e kufizojnë atë nga bota fëminore, por edhe i dhurojnë atij një sërë efektesh negative.

Gjithmonë sipas psikologëve gjermanë, 20.000 deri në 30.000 fëmijë qëndrojnë deri në orën dy të mesnatës para televizorit. Një 18-vjecar, sot nëpërmjet mediave ka parë me sytë e tij mbi 200.000 akte dhune dhe ky fëmijë ka parë po ashtu mbi 40.000 herë sekuenca ose foto me njerëz të gjymtuar, të dhunuar e të masakruar.

Por edhe nëse fëmijët dhe prindërit e tyre janë të kujdesshëm dhe selektiv ndaj këtyre programeve televizive, a është media e kujdesshme edhe në rastin kur trajton emisione fëmijësh? Televizioni zgjedh ose të mos i përfshijë ata në programacionet e saj ose t’i edukojë jo në mënyrën e duhur.

Sot, të rinjtë e mbi të gjitha fëmijët, kanë nevojë për më shumë përkrahje mediatike se kushdo tjetër. Kanë nevojë për programe ku në të cilat të trajtohen tematikat e përshtatshme, dëshirat e tyre dhe të mos jenë aspak të varur nga faktorë të tjerë. Programet edukative të cilat u mungojnë ekraneve tona prej kohësh, do të rikthenin fëmijët pranë vetes, ata do të kishin më tepër kohë për gjërat e tyre dhe do ta shpenzonin atë në mënyrën e duhur.

One comment on “Ku i kanë lënë televizionet fëmijët?

  1. […] të plotë këtu: Online News Albania 0.000000 0.000000 ShpërndajeEmailLike this:PëlqejeniBëhuni i pari që e pëlqen këtë […]

Comments are closed.