“Rokada”e policisë së Rinasit, luhet ndërmjet të shtatëve!!

Dhe një variant tjetër i skemës së zakonshme të “emërimeve” në Polici

Nga Olsi Çala

Rokada e djeshme policisë së Rinasit

Rinas, pas skandalit të vizave, i cili përfundoi me lëvizjen nga detyra të 7 oficerëve të policisë të gradave të ndryshme. Të larguarit dyshohen se kanë favorizuar 11 raste kalimi të pa ligjshëm me viza fallso të shtetasve kosovarë drejt vendeve të zonës Shengen.  Në listën e të “shkarkuarve ” figuron edhe shefi i Komisariatit të Rinasit, Gëzim Perbibaj. Edhe pas skandalit të përfshirë në dhënien  e vizave fallso që favorizuan 11 shtetas kosovarë, Perbibajt iu kërkua vetëm rokada, pasi ai u emërua përsëri në instancat drejtuese të Komisariatit të Kavajës. Ndërkohë, e njëjta histori ka ndodhur edhe për Zv/ Drejtori për Krimin në Tiranë Arian Kurti, po ashtu i përfshirë në të njëjtin skandal, emërohet në Shkodër dhe detyrën e tij e zëvendëson Gëzim Gejci.

Pamje nga posti i Policisë së Shtetit në aeroportin Nënë Tereza

Ndryshimet dhe jo shkarkimet, kanë prekur edhe komisariatin Nr.5 në Tiranë, ku drejtuesi i deritanishëm  Ilir Gjoçi, është emëruar në Rinas, ndërva vendin vakant e ka zënë Agrin Sulsabashi. Nga policia mësohet se, këto ndryshime vijnë në kuadër të përmirësimit të cilësisë së punës në luftën e ndërmarrë kundër krimit të organizuar. Rikujtojmë në një paralelizëm prangosjen për korrupsion të shefit të Komisariatit Nr.1 në Tiranë, Fatos Goxhaj, mesa duket nuk ishte me “fat” në skandalin e përfshirë, atij nuk iu kërkua lënia e postit aktual dhe emërimi diku tjetër, por kundrejt tij u mor masa e arrestit me burg dhe shkarkim i menjëhershëm nga posti. I njëjti skandal, i ndodhur me drejtuesit e policisë së Rinasit nuk pati të njëjtat pasoja, drejtuesit u riemëruan po në poste drejtuese. U ndërruan vetëm vendet, ndodhi largimi gjeografik, por ende duhet të bindemi nëse këto ndryshime janë garanci e pastrimit nga “mëkatet” për këta drejtues? Pas emërimeve në poste të tilla, a duhet që strukturat vendimarrëse të na ‘ndriçojnë’ në lidhje me të shkuarën profesionale të oficerëve të lartë? Apo si zakonisht duhet të presim skandalin e rradhës që si flakë kashte shuhet përpara se qytetarët të kuptojnë ç’po ndodh?. Kjo transparecë mungon, asnjëherë nuk është bërë publike diçka e tillë. Mos vallë këta persona nuk kanë kualifikimin e duhur për të tilla poste drejtuese, apo historia përsëritet dhe në karrierën e tyre drejtuese janë përfshirë në skandale të tilla? Janë pyetje që lindin nga mosinformimi dhe transparenca e strukturave drejtuese të policisë së shtetit. Në mungesë të këtij informacioni duhet të presim që këta persona të tregojnë se janë ata të “duhurit”. Qytetarët s’kanë zgjidhje veçse të presin. Gazetarët duhet të bëjnë diçka më shumë.

%d bloggers like this: