Shqipëria dhe osmanët

Shqipëria në shekuj

Lexo numrin e parë të rubrikës

Rubrikë nga Kelvin Nikolli

Hartë mesjetare e pjesës perëndimore të Shqipërisë

Kur përmendet Perandoria Osmane, ballkanasve u shkon nëpërmend një pushtues që erdhi nga Azia dhe për gati një gjysëm mijëvjeçari i mbajti të nënshtruar nën “thembrën” e tij. Kjo vlen edhe për shqiptarët. Shqiptarët, sikur fqinjët e tyre, nuk duan ta kujtojnë sundimin osman ose nqs e kujtojnë, preferojnë pjesen e rezistencës që i bëri populli ynë këtij pushtuesi “barbar”, por sundimi osman është një pjesë e historisë së popullit shqiptar dhe fillon me vdekjen e Kastriotit dhe rënien e qyteteve të rëndësishme.

Me rënien e principatave shqiptare, perandoria osmane e kishte siguruar ballkanin perendimor. Vetëm disa vende dhe krahina ishin tashmë autonome dhe të lira, si psh Republika e Raguzës, Dhespoti i Zetës (Mali i Zi) dhe ndonjë krahinë autonome. Me zgjerimin e perandorisë drejt perendimit u shfaq problemi i organizimit të pushtetit. Duke kujtuar perandoritë e lashta, si ajo e Aleksandrit ose ajo e Romës, turqit e dinin se kontrolli i sulltanit ose më saktë i Portës së Lartë, mund të shtrihej në një distancë të caktuar. Një njeri ose një grup i vogël këshilltarësh nuk mund të kontrollonin çdo krahinë të dominionit të tyre.

Për ta siguruar kontrollin e tyre edhe në skajët më të largëta të perandorisë, osmanët ndryshuan organizmin shtetëror të perandorisë. Ndryshimet më të mëdha në aspektin administrativ dhe juridik ndodhën nën sundimin e Sulejmanit II ose siç njihej ndryshe Sulejman kanuini (ligjëvënsi).  Sulejmani II kërkonte një centralizim të pushtetit të tij dhe për të arritur këtë ai e ndau perandorinë e tij në 32 vilajete (njësi më të vogla administrative).

Cdo vilajet kishte një bejler (administrues) që si titull ngjasonte me titujt perendimorë të ‘Kont’ ose ‘ Dukë’. Bejlerët zbatonin urdhërat e Portës Së Lartë, si psh. mbledhja e taksave, grumbullimi i numërit të ushtarëve që u ishte përcaktuar nga sulltani në atë vilajet. Edhe gadishulli ballkanik u nda në vilajete përkatëse. Porta e Lartë e ndau ballkanin në tre vilajete; në veri ishte vilajeti i Bosnjës, në qendër ndodhej vilajeti i Rumelisë dhe në jug ishte vilajeti i Detit që përfshinte vendet e detit Egje.

Territori shqiptar u përfshi në vilajetin e Rumelisë dhe u nda në disa sanxhake. Sanxhaket ishin pjesë më të vogla administruese që kryesisht i liheshin drejtuesve vendas të cilët kishin shfaqur besnikëri ndaj perandorisë. Sanxhaket e Shqipërisë gjatë vieteve të perandorisë, ndryshuan shpesh herë. Me pushtimin e Malit të Zi, perandoria ja bashkangjiti këtë territor sanxhakut të Shkodrës. Gjatë viteve perandoria shkëputi dhe bashkoj shumë sanxhake, psh sanxhakut të Vlorës iu shkëputën krahinat e Delvinës dhe të Camërisë dhe nga to u krijua sanxhaku i Delvinës.

Cdo sanxhak kishte një mëkëmbës që i përgjigjej Bejlerit (Kontit) që quhej Sanxhakbej. Administrimi i sanxhakut vinte në formë piramide ku në krye ishte sanxhakbej që i jepte llogari vetëm bejlerit dhe bejleri ishte përgjegjës para sulltanit. Të gjithë vartësit e tjerë që ndodheshin në sanxhak i përgjigjeshin sanxhakbeut. I vetmi individ në sanxhak që përgjigjej para sulltanit, përveç sanxhakbeut, ishte gjykatësi i sanxhakut që kishte titullin Kadi.

Për të ruajtur rendin vendor perandoria emëroj më shumë banorë vendas etnik. Pra shumica dërrmuese e funksionarëve ishin shqiptarë që para pushtimit kishin patur lidhje me familjet dhe princërat shqiptarë ose kishin fituar favore në perandori me anë të luftimeve dhe shërbimeve ndaj saj. Pak turq që kishin mbetur, të sjellë nga perandoria si kolonizues në qytetet e Krujës, Elbasanit dhe Koxhaxhikut, u asimiluan nga popullsia vendase.

Duke patur frikën e rebelimeve, që popullsia shqiptare bënte shpesh, Porta e Lartë i ndau në më shumë pjesë ose sanxhake, territoret shqiptare sesa ato që ndodheshin në vilajete të tjera.  Turqit përpiqeshin të mbanin njëfarë balance në përbërjen e popullsisë së territorëve shqiptare. Psh territoreve me përbërje shqiptare në Maqedoni iu bashkangjitën territore dhe krahina me përkatësi etnike sllave.  Kjo siguronte një ndarje të administrimit dhe një ulje të rebelimit të popullsisë shqiptare.

Administrimi dhe ligjet e perandorise kryesisht bazoheshin në urdhëresat e Kuranit. Osmanët i krijonin ligjet e tyre duke u bazuar në kuran dhe e quanin këtë Sheriatit (ligji i shenjtë). Ligji i shenjtë zbatohej në të gjithë perandorinë ku libri i Kuranit ishte një llojë rregullatori ose më saktë kushtetutë për ligjet e dala nga Porta e Lartë. Por kishte edhe raste kur ligji i shenjtë ose ligjet e Portës së Lartë nuk zbatoheshin. Ky fenomen ndodhte kryesisht në krahinat malore si psh krahina e Mirditës, Malsisë së madhe, Pukës etj. Këto krahina vetqeveriseshin nga prijës vendorë që perandoria i quante Bajraktarë dhe krahinat e tyre Bajraqe. Këto krahina kryesisht paguanin një taksë të vogël ose siç quhej ndryshe haraç, ose e furnizonin perandorinë me një numër të caktuar ushtarësh kur kjo kërkohej.

Administrimi në këtë formë, pra me anëve të kanuinëve ose ligjeve të shenjta, krijoj hendeqe në zhvillimin ekonomik të krahinave dhe sanxhaqeve në territorin e shqipërisë. Kryesisht ishin qytetet bregdetare ata që ‘favorizoheshin’ më shumë nga ligjet e Portës së Lartë. Qyteti i shkodrës në vitet 1529 – 1535, duke qënë pjesë e sanxhakut të shkodrës dhe nga ku kontrollohej treva e Malit të Zi dhe krahina e Lezhës (të dy kto vende lageshin nga deti Adriatik), kishte ligje më të ‘buta’ në krahasim më qytetet që ishin në brendësi të vendit si psh Elbasani apo ndonjë trevë si ajo e Dibrës. Kjo për shkak se këtu lulëzonte tregtia me Perendimin dhe duke qënë afër vendeve perindimore, banorët e këtyre qyteteve duhej të ndiheshin të kënaqur për tu mos revoltuar ndaj perandorisë apo që të influensoheshin nga këto vende.

Perandoria Osmane e kishte si politikë ti linte kufinjtë e sajë, pra vendet si Shqipëria apo Egjipti ose Tunizia, në dobësi ekonomike. Duke qënë të dobët këta vende nuk mund të komplotonin me perandoritë perendimore për të sulmuar osmanët. Shqipëria duke qënë një urë kalimi midis lindjes dhe perendimit, duhej të mbahej e coptuar. Krahinat e pakëta autonome si ato të malësive ose ajo e Kurveleshit në jug, liheshin të lira për shkak të pozicionit gjegrafik të vështirë të tyre dhe në rast sulmi në këto zona perandoria do kishte më shumë humbje sesa fitime.

Në pamje të parë duket se Perandoria Osmane kishte një mospërfillje për popullin shqiptar. Duket sikur shqiptarët nuk kishin vlerë si popull por vetëm si individë. E vërteta duket se eshte komplet ndryshe. Perandoria Osmane jo vetëm që i vlerësonte shqiptarët, por edhe i druhej atyre. Masat e mara ndaj shqiptarëve gjatë sundimit osman tregojnë se populli shqiptar ishte një forcë për tu patur frikë në ballkan. Ndoshta është e vërtetë se ligjet dhe doket e vendosura nga Porta e Lartë për pesëqind vjet, krijuan një disnivel si nga aspekti ekonomik dhe ai kulturor në viset shqiptare, por nuk duhet të harrojmë se shqiptarët gjatë sundimit osman patën po atë jehonë që kishin në rezistencën kundër kësaj perandorie, vetëm se këtë herë ato u shquan për përshtatjen ndaj rendit të ri.

%d bloggers like this: