1 maji dhe shqiptarёt

Nga Edlira Kalaja

1 maji ne Tirane

Ndër ato pak sindikata të punëtorëve që ekzistojnë në Shqipëri, duket se vetëm njëra kishte dalë në mënyrë simbolike për të protestuar në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, ndërsa pjesa tjetër fjeti gjumë.

Shumë njerëz janë të papunë, e shumë të tjerë punojnë në kushte të këqija por askush nuk flet, përveçse në kafe me ndonjë shok.

Ky fillim maji u prit si një ditë e njëjtë me të tjerat, e për protestën e zhvilluar dëgjuan vetëm ato që hapën televizorin.

Mesa duket sindikatat e punëtorëve kanë konflikte midis tyre, për aq sa dihet, ndaj dhe kur bëhet fjala për të kryer funksionet e atribuara tregohen të papërgjegjshme dhe kthehen nga vetja për të siguruar akoma më shumë pushtet e para.

Është fare e lehtë të kuptosh se jetojmë në një vend demokratik  ku sindikatat ekzistojnë vetëm formalisht.

Nga ana tjetër shqiptarët akoma se kanë kuptuar se ajo çka u është thënë për pesëdhjetë vjet në komunizëm për datën 1 maj ka qenë propagandë.

Në sistemin që lamë pas, 1 maji ishte ditë feste, sepse njerëzit kishin punë dhe klasa punëtore propagandohej si e privilegjuar. Ndaj sot, teksa jetojmë në demokraci mbajmë me vete traditën komuniste dhe e ndjekim atë sikur sistemet të ishin të njëjta.

Shumë njerëz shprehen se dalja e tyre në protestë nuk do të sinjifikonte asgjë, ndërsa të tjerë shprehen se nëse do të protestonin do të ngeleshin pa punë.

Kultura e të protestuarit për të drejtat tona, qoftë në formë simbolike, mungon në gjirin e shqiptarëve, e teksa vitet kalojnë mbetet të shpresojmë që do të vijnë breza të cilët do të mund ta adaptojnë këtë kulturë.

1 Maj dita e rrogës.

Për shumë të tjerë dita e parë e muajit lidhet drejtpërdrejtë me ditën e rrogës.

Aktualisht, të paktën në Tiranë ka disa muaj që nëpër institucione të ndryshme te mëdha, sidomos private, të ketë vonesa në pagat e punonjësve. Këto vonesa nuk kanë munguar as nëpër institucionet shtetërore.

Një zonjë ë cila punon në një institucion shtetëror, shprehet e shqetësuar teksa tregon se një ditë përpara datës së rrogës financieri u tha që të shpresonin që do ti merrnin rrogat të nesërmen.

Një pjesë e institucioneve private kanë zgjedhur një mënyrë tjetër. Përveç faktit që prej muajsh tashmë askush nuk e merr rrogën në datën e caktuar, ata i shpërndajnë rrogat në mënyrë hierarkike. Në fillim të voglat e kështu me radhë.

Kjo gjendje është pasqyruar më shumë nëpër media. Shumë televizione nuk respektojnë datën e vendosur nga vetë ata për pagesa e nga ana tjetër punonjësit mbeten në shpresë të kursimeve që kanë lënë mënjanë e disa të tjerë në shpresë të fatit.

‘Muajin e shkuar i morëm pagat më datë 10, ndërkohë që duhet t’i merrnim më datë 1, këtë muaj nuk dihet akoma asgjë,’  shprehet Gerti, i cili punon në një televizion privat në Tiranë.

Ai tregon se kjo situatë ka nisur para dy muajsh. Fillimisht nuk iu dha asnjë shpjegim, më pas qarkulluan fjalë së ishte krijuar një bllokim i fondeve nga shteti. Ky i fundit nuk kishte likuiduar kompanitë e mëdha, nga ku vijnë dhe burimet financiare të shumë institucioneve të tjera, duke krijuar kështu një reaksion zinxhir.

Shumë televizione aktualisht po kalojnë probleme financiare të ndjeshme, të cilat reflektohen drejtpërdrejtë tek punonjësit, tek pagat e tyre. Këto probleme deri më tani duket të qëndrojnë në heshtje, kryesisht nga frika e humbjes së vendit të punës.

Kontratat

‘Dalja ime në protestë më 1 Maj është e kotë,’ shprehet Linda, e cila punon si montazhiere në një televizion tjetër në kryeqytet.

‘Përveç faktit që protestat në Shqipëri janë pa kurrfarë vlere, pjesëmarrja nëpër grumbullime të tilla do të thotë të ikësh vetë nga puna. Ne punojmë në privat dhe në Shqipëri nuk ekziston akoma kontrata, ndaj praktikisht i bie që punojmë në të zezë dhe kushtet e kësaj pune dihen nga të gjithë,’ shprehet ajo.

Aktualisht në Shqipëri kontratat praktikohen pak ose aspak. Shpesh ndodh që edhe nëpër ato vende pune ku ekzistojnë kontratat, të ketë shkelje flagrante të saj nga punëdhënësi dhe të mungojë mbështetja për të dëmtuarin.

Ndërkohë që sindikatat e punëtorëve ngrohin karriget e tyre, papunësia shtohet, abuzimi ndër punonjës gjithashtu. Njerëz që nuk paguhen në datën e caktuar, të tjerë qe hiqen nga puna sepse dikush tjetër ka ‘mikun’. E si të mos mjaftonte të rinjtë enden kafeneve, të papunë e të pashpresë. Askush nuk di të të përgjigjet kur i pyet se si do ia bëjnë për punë.

Shumë nga këto të rinj zgjedhin të punojnë nëpër call-center, kompani përgjithësisht italiane, të cilat punojnë në të zezë dhe ku abuzimi nuk mungon, madje është akoma më i egër.

Endri është një djalë i cili për një periudhë një mujore punoi në një call-center Italian. Ai tregon se në javën e parë të punës u pagua vetëm 14 orë, nga 30 orët që duhet të paguhej, (5 ditë jave me nga 6 orë në ditë).

Edhe pse në kontratën e punës kompania në fjalë duhet ta paguante për të gjitha orët e kryera, në fund kontrata u kthye në një copë letre pavlerë.

Endri e la punën e tij në call-center, e shumë të tjerë si ai bëjnë të njëjtën gjë. Njëkohësisht shumë të tjerë vazhdojnë të punojnë edhe pse abuzohet me to.

Ndërkohë që e gjithë bota, ashtu siç bën çdo vit, doli në protestë për kushte më të mira pune, apo për më shumë vende pune, shqiptarët fjetën gjumë.

%d bloggers like this: