Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i takon vetëm Shqipërisë

Nga Erblin Vukaj

Heroi kombetar shqiptar, Gjergj Kastrioti

Këtë vit, vendi ynë bën plot njëqind vjet pavarësi. Pavarësi për të cilën luftuan dhe sakrifikuan, ku më pak e ku më shumë, të gjithë paraardhësit tanë. Figurat më të njohura historike të vendit tonë i dhanë rilindjen kombëtare, e me të më 28 Nëntor 1912-të, Pavarësinë.  Kjo pavarësi s’kishte si të mos ndërtohej mbi figurën e Skënderbeut. Rilindasit, risollën historinë dhe Flamurin e tij, dhe që atëherë shteti ynë i mban si simbol të republikës edhe përkrenaren.

Padyshim Skënderbeu është simboli i bashkimit kombëtar, i vetë kombit. Personifikon të gjitha vlerat dhe virtytet e popullit tonë. Në epokën moderne vazhdojmë të mbrohemi nga figura e tij. Por që prej shekullit të XVIII e deri më sot Skënderbeun kanë “kërkuar të na e marrin” të tjerët. Origjina, dhe etnia e tij është diskutuar vazhdimisht. Historianët serb kanë pretenduar nga një dokument raguzian i vitit 1368, se stërgjyshi i Gjergjit ishte Branillo Kastrioti një sllav (kefali) kapiten i kalasë së Kaninës pranë Vlorës. Gjon Kastrioti (babai i Skënderbeut), e ka emrin Ivan, ishte ortodoks, dhe kishte për grua Vojsavën (Vojsava Tripalda) një sllave nga Pollogu (Maqedoni). Nga ana tjetër për grekët Gjergji e ka emrin Georgios, dhe babai i tij Ioannis. Prej trajtës së emrit të familjes Kastrioti, e cila vjen “padyshim” prej greqishtes “kastron” çka do të thotë kështjellë, ndaj Skënderbeu ishte grek.

Por dokumenti raguzian keqinterpretohet nga injorimi i grafemës “i” mes dy emrave Branilo dhe Kefalia Kastrioti, kështu dy persona të ndryshëm, për serbët, kthehen në një, Branillo Kastrioti. Familja e Vojsavës ka qenë shqiptare, për arsyen se kjo familje i bënte martesat vetëm në dyer shqiptare. Gjon Muzaka (Giovanni Musacchi) thotë në “gjenealogjinë” e tij se e ëma e Vojsavës ishte nga Muzakajt. Në mesjetë njihet tradita e martesave të familjeve fisnike me familje fisnike të huaja, si: bizantine, greke, serbe, napolitane, italiane, frënge etj. Ato kishin karakter politik dhe u shërbenin aleancave ndërshtetërore. Ivan, Gjon, apo Hamza Kastrioti, ishte i njëjti person por në fe të ndryshme. Si feudal, vasal, zotërues i fuqishëm dhe tregtar, të atit të Skënderbeut i është dashur të konvertohej në fe të ndryshme në periudha të ndryshme për të forcuar e mbajtur interesat e tij. Për sa i përket trajtës Kastrioti, fjala vjen nga latinishtja “castrum”, kjo trajtë është vënë enkas për të krijuar një identitet të veçantë tek ata me të cilët familja Kastrioti bënte tregti.

Dëshmitë e historianëve të huaj, që hamendësojnë se Skënderbeu kishte origjinë sllave ose greke, bien poshtë nga dëshmitë e bashkëkohëse të Heroit. Kështu, mund të përmenden autorët shqiptarë të shekujve XV-XVI, si Gjon Muzaka (si arbëresh Giovanni Musacchi), Marin Barleti, kronisti raguzian Pietro Lukari, të cilët dëshmojnë për origjinën shqiptare të Kastriotëve, ndërkohë që këtë problem e zgjidh vetë Skënderbeu. Në letrën që ai i dërgon princit të Tarentit, Giovanni Antonio Orssini-t, në 31 tetor të vitit 1460, Skënderbeu pohon origjinën e tij shqiptare. Botimi i këtij dokumenti e ka bërë të kotë përgjithmonë vazhdimin e këtij debati, duke vërtetuar plotësisht origjinën shqiptare të Kastriotëve e mbi të gjitha të Skënderbeut.

%d bloggers like this: