“A ndihemi të sigurtë?!”

Nga Edlira Kalaja

Grabitjet në mes të ditës të shoqëruara edhe me vrasje, po venë në dyshim sigurinë e qytetarëve si dhe shtojnë mosbesimin ndaj policisë  së vendit.

Vetëm dy muajt e fundit janë grabitur disa dyqane, banka etj, ku fatkeqësisht ka patur edhe të vdekur. Vala e grabitjeve duket të jetë përhapur nëpër qytete të ndryshme të vendit, valë të cilat shtohen dita ditës.

Të premten rreth orës 11 të paradites pranë rrugës së ‘Barrikadave’ dy të rinj, të cilët po lëvizin me një motor tentuan t’i grabisnin çantën një vajze e cila po kalonte rrugën bashkë me një shoqe. Duke qenë se vajza nuk e lëshoi çantën, djemtë e tërhoqën atë për gati dy metra dhe më pas e lëshuan. Ata nuk mbanin maskë apo kokore, ndaj fytyra e tyre dallohej qartë. Disa metra larg saj ndodhej një polic rrugor i cili ishte dëshmitarë në vendngjarje dhe përveçse qëndroi indiferent, vetëm pasi gjithçka kishte mbaruar foli në radion e tij.

Askush nga njerëzit nuk guxoi të bënte diçka dhe askush nuk e merr iniciativën të bëjë trimin para skenave të tilla. Ngjarje të ngjashme, të cilat ndodhin në mes të ditës dhe kanë për dëshmitarë dhjetra qytetarë kanë filluar të bëhen normale. Disa qytetarë shprehen se kanë qenë dëshmitarë në dy tre skena të ngjashme me atë të vajzës. Ata thonë se kjo mënyra me motorra është edhe metoda më e fundit që kanë zgjedhur grabitësit për të kryer krimet e tyre rutinore.

Vitin e shkuar një grua rreth të pesëdhjetave humbi jetën për shkak të një skene të ngjashme. Teksa kalonte rrugën një djalë me motorr e tërhoqi bashkë me çantën e krahut duke e përplasur tutje. Gruaja pësoi fraktura të rënda, duke humbur kështu jetën. Ajo ishte nëna e dy fëmijëve.

Këto edhe shumë të tjera, janë raste për të cilat nuk gjendet kohë mediatike e mesa duket as kohë nga ana e forcave të rendit.

Qytetarët shprehen të friksuar dhe shumica e tyre mendon se nëse rastis polici afër nuk përbën asnjë ndryshim.

Entela tregon sesi dy persona i morën telefonin tek shkalla e pallatit. Teksa kthehej për në shtëpi, rreth orës 20:00 të darkës, atë e prisnin tek shkalla e pallatit. “Ishte errësirë ndaj nuk dallova njeri. Dikush më mbylli gojën dhe më tërhoqën telefonin nga dora,”

Ajo tregon se nuk i vjen keq për atë çka i morën më shumë sesa për faktin se edhe sot kur futet për tek shkallët e pallatin ndihet e frikësuar.

Policia

Pak kohë më parë, vetëm pasi një punonjëse banke humbi jetën, duke tronditur kështu tërë opinionin publik, policia vuri në pranga ‘vrasësin serial’ autor i shumë grabitjeve dhe plagosjeve me armë.

Zotëria në fjalë kishte katër vjet që ushtronte këtë ‘profesion’. Ai jetonte  në mes të Tiranës dhe lëvizte lirshëm gjithandej. Dyzet e katër vjeçari ishte autor i 16 krimeve të ndryshme, për të cilat policia arriti ta identifikonte vetëm pas ngjarjes tragjike e cila ndodhi sërisht në mes të ditës në një bankë të kryeqytetit.

Pas arrestimit të tij, policia e shtetit, në vend se të kërkonte ndjesë publike për paaftësinë e saj katër vjeçare, për plot 16 veprat e bëra nga personi i sipërpërmendur si dhe për shumë të tjera që nuk jemi në dijeni,  ajo e ktheu këtë në një fitore shumë të madhe, e cila u pasua me lëvdata nga politika dhe u mbështet edhe nga media.

Për grabitësin u fol gjatë, u bënë analiza të bazuara nëpër rrjete sociale, jo nga psikologët por nga media, dolën video dhe akuza të cilat arritën deri tek ato partiake.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë  duket se vendi ka rënë në qetësi dhe me grabitësin e bankës u mbyllën edhe grabitjet në vend, ndaj tani duhet të ndihemi sërisht të qetë. Disa media raportojnë herë pas herë raste grabitjeje apo dhune, ndërsa të  tjerat heshtin.

Gjithsesi e përditshmja jonë tregon të kundërtën. Ngjarje si ajo e vajzës në rrugën e ‘Barrikadave’ e shumë të tjera kërkojnë që secili nga ne të kthehet nga vetja dhe të bëjë një pyetje të thjeshtë:

“A ndihemi të sigurtë?!”

 

%d bloggers like this: