Arti i marketimit të fatkeqësive

Nga Erblin Vukaj

Në orën 15:45; 16:00; 16:15 apo 16:30, domethënë në orare të ndryshme nga media të ndryshme, më 21 maj, u raportua për daljen nga rruga të një autobusi me studentë. Autobuzi ishte pjesë e një eksedite mësimore organizuar nga departamenti i Gjuhë-Letërsisë së Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Sipas mediave ato po shkonin “e” po vinin në të njëjtën kohë, nga Elbasani për në Sarandë dhe e anasjellta.

Njëqind e njëzetë, 75-së, apo “futja numër kot” studentë, të gjitha vajza, dhe tre pedagogë ishin ndarë në dy autobuzë. Autobuzi me targa EL 2274 B; i tipit Mercedez Benz 303 i vitit 88’të (vlera e të cilit ishte diku tek 10-mijë euro!!!), ishte ai i cili doli nga rruga duke përfunduar në një greminë rreth 50; 80; 100 apo “shtoje, shtoje se shet gazetë” metra të thellë afër Himarës. Por ky aksident shkaktoi fatkeqësisht viktima, të cilat për mediat janë vetëm shifra. U raportua për 8; 11; 12; 13… viktima dhe 20; 21; 22… të plagosur, gjysma prej të cilëve rëndë. Këto shifra mediat i shitën! Me tmerret e tragjeditë tona, mediat gjithmonë kanë bërë dhe bëjnë para.

Pasi kanë shitur shifrat, mediat kërkojnë të shesin edhe ngjarjen, duke trilluar shkaqe nga më të ndryshmet për mënyrën se si u shkaktua aksidenti, e kjo menjëherë pasi ai ka ndodhur. E si gjithmonë nga media filloi gjuetia e shtrigave, për të gjetur fajtorin. U tha se ishte rruga, rruga malore, apo rruga e pa-rregulluar, ajo që shkaktoi daljen nga rruga të autobuzit. U tha se shoferi ishte fajtori dhe shkaktari i aksidentit, se ishte i pirë apo se mund të kishte pësuar infarkt. Pasi Ministri Sokol Olldashi deklaroi me të madhe se aksidenti u shkaktua “JO PER FAJ TE RRUGES”, mediat vazhduan vetëm me shoferin.

Një mungesë etike të kërkosh fajtorët në mes të një tragjedie, e akoma më shumë mungesë etike është të trasmetosh pamjet e të plagosurve, të këmëngulësh për pyetje ndërkohë që ata janë në ambulanca, apo dhe t’u kërkosh intervista të afërmve të tyre pikërisht në një moment tronditje. Kështu për të gjitha mediat tona aspak profesionale. Kështu për të gjithë gazetarët aspak profesionistë të cilët priren të japin zgjidhje, e të gjejnë çelësa për çdo problem apo ngjarje. Pse nuk pyet askush, si ka mundësi që asnjë autobuz i linjave të zakonshme nuk ka pësuar ndonjëherë aksident por vetëm ato autobuza që kanë patur studentë e nxënës për eskursione?! Çfarë ka ndryshe një udhëtim normal nga ai i eskursioneve?! Si ka mundësi që një autobuz mbi 20-vjeçar vazhdon dhe e bën këtë linjë?!

Përgjigjien na e japin pushtetarët tanë njëri prej të cilëve në një emision “shkel-e-shko” për këtë ngjarje thotë: “…ishin 33-vajza të seksit femër” (Zv/ministri i Shëndetësisë, Bardhi Spahia).

%d bloggers like this: