Urban Jungle 3

Rubrikë nga Edlira Kalaja

Sqarim nga autorja: Historitë janë ngjarje reale, të cilat u kanë ndodhur personave të ndryshëm. Për lehtësi tregimi, janë të përmbledhura të gjitha në një fundjavë.

Teksa leviz i qetë me makinë, shpejtësi normale,  rripin e sigurimit të vënë, del përpara ai, polici. Fytyra e tij autoritare kërkon që ti të tregohesh i shpejtë, ti tregosh atij dokumenta,  siguracion,  patentë. Përballja me policinë rrugore mund të sjellë të papritura  nga më të ndryshmet.

Vendosëm unë me tim vëlla të bënim një udhëtim. Hipëm në makinë, rripat e sigurimit të vëna dhe u nisëm. Një trafik i tmerrshëm! Ç’të kishte ndodhur vallë?!

Teksa afroheshim sikur të ishim duke vajtur në dasëm, përpara nesh u duk uniforma fosforeshente e policit i cili kishte dalë për të zgjidhur trafikun. Një të mbërritur në semafor, ai nxorri tabelën me të cilën na thoshte të ndalonim. Tanimë e kishin rradhën makinat në kahun tjetër të rrugës. Kishim gjysëm ore që prisnim në trafik, pikërisht atë, rradhën tonë.

Gjithsesi kur ke pritur gjysmë ore s’të kushton gjë një gjysmë tjetër. Polici i binte bilbilit, bënte shenja makinave që të kalonin, e ndërsa ne prisnim, një makinë nga ato që duken si shtëpi, ato të fundit fare, se kishte vënë re policin që qëndronte aty në mënyrë që ne të mos kalonim. Ajo rrëshkiti si të ishte e padukshme. Polici mesiguri e la të kalonte sepse ajo makina duhet të kishte ndonjë hall. Shpejtonte dhe muzikën e kishte ngritur në maksimum, dukej tamam si ambulancë. Polici mbylli njërin sy dhe vazhdoi të merrej me makinat e tjera. Pas tridhjetë minutash erdhi edhe rradha jonë. U nisëm! Kishim dalë nga shtëpia me mëngjes në mënyrë që të arrinim në destinacion sa më parë.

Pasi kishim bërë një copë rrugë në qetësi dhe tanimë ndodheshim në autostradë, përpara u duk një makinë policie. Ne këmbë ndodheshin dy polica. Njëri nga to nxorri tabelën që të ndalonim. Ndaluam! Dokumenta,siguracion, patentë, të gjitha në rregull. Na pyetën se për ku ishim nisur, çfarë lidhje kishim me njëri tjetrin, të bijtë e kujt ishim etj. Pasi gjithçka rezultoi në rregull, njëri nga policët, i cili po qëndronte në heshtje u afrua dhe i hodhi një sy xhamave të pasme të makinës. (xhamat e pasme kishin qenë dikur të zinj dhe tani që ia kishim hequr kishte mbëtur ngjitësja). Ai e pyeti tim vëlla se përse i mbante xhamat në atë gjëndje. I qetë iu përgjigj se skishte patur mundësi të shkonte ti pastronte. Atëherë polici me një buzëqeshje ‘eureka’ iu kthye tim vellai dhe i tha; “ Më jep mua një pesëmijshe dhe t’i rregulloj unë’.

E ç’ti thuash vallë policit në raste të tilla?! Ç’faj kishte ai i mjeri, vapë, pluhur, në mes të rrugës, mbase i haej ndonjë gjë. Vazhduam rrugën! Diku më andej një post-bllok tjetër policie na priste. Na ndaluan sërisht! Këtë herë gjendja dukej serioze. Ata na kërkuan që të mbanim krahun. Pasi kërkuan dokumentat vendosën të na bënin kontroll makinës. Në bagazhin e makinës gjetën  një prefëse thonjsh për të cilën autori i këtij zbulimi nisi “interrogatorin” e tij. Deri atë ditë nuk e kishim ditur se një prefëse thonjsh mund të konsiderohej armë e ftohtë. Pas shumë sqarimesh zotërinjtë na lanë të largoheshim, sigurisht pasi ne i qerasëm me një kafe simbolike. Një dhjetëshe!

Teksa mbërritëm në qytetin e Durrësit vendosëm të uleshim në restorantin më të afërt. Disa metra përpara se të arrije tek semafori ndodhej një rotullame në të cilën mund të ktheheshe ndaj vendosëm të kalonim aty. Sapo morëm kthesën përballë doli polici i rradhës. Menjëherë ai akuzoi se ishim “futur” me të kuqe. Një debat i madh nisi mes tij dhe tim vëllai, e kur polici e pa që nuk kishte njeri terezi për kafe tha: ‘Po të fal kësaj rradhe se qenke i shoqëruar!’ Ikëm!

Fundjava e saponisur po shkonte vaj. Madje aq vaj sa edhe paratë kishin filluar të rridhnin. Vendosëm të ktheheshim në shtëpi. Kur mbërritëm në Tiranë ndaluam për disa minuta në një dyqan lulesh. Nga hutimi i gjithë asaj dite im vëlla e la makinën në cep të rrugës dhe harroi të hapte bllokazhin. Si për fatin tonë të mirë aty pranë u gjend një tjetër polic. Ai dukej fjalë pak, menjëherë nisi të shkruante gjobën. U përpoqëm t’i thonim që e kishim harruar, por ai nuk dëgjonte, na kishte kapur mat. Atëherë im vëlla e mblodhi veten edhe i tha: “Shiko, unë jam në gabim, por e kam me qejf të ta jap një pesëmijëshe, vetëm se e kam dhjetëshe.”

Gjithçka u zgjidh për mrekulli. Polici kishte të thyera. Kështu ai e mori dhjetëmijë lekëshin dhe na ktheu kusur.

Për ta mbylluar ditën tonë të mbushur me aventura kësaj here na priste një post-bllok ndryshe nga të tjerët. Tanimë ishte bërë natë. Për lehtësi vendosëm të futeshim nga unaza e re. Pa arritur tek parku i autobuzave na ndaluan gjashtë polica. Dy ishin të rrugores, dy të kriminales ndërsa dy të tjerët ishin të forcave speciale, këto të fundit ishin të maskuar. Hapëm krahun.

Menjëherë ata na paraqitën akuzën. Sipas tyre ne kishim kaluar pak më parë me tejkalim shpejtësie. (U trembëm, na paskan klonuar!!)

Këtë herë situata ishte më ndyshe. Mirë policat e rrugores, po këto të tjerët çfarë kërkonin?! Në ato momente çfarë nuk na kaloi nëpër mend. Mund edhe të hanim një dru të mirë edhe as të mos e merrnim vesh nga na erdhi. U munduam t’i shpjegonim se po ktheheshim nga Durrësi dhe se s’kishim shkelur asnjë normë apo ligj, por ato qëndronin të bindur në pohimin e tyre dhe madje kërcenuan se do të na rrasnin brenda. Diskutimi këtë herë zgjati shumë, e në fund ne i ofruam një njëzet mijë lekësh. Ata u shprehën të pakënaqur duke na kërkuar që t’i jepnim të paktën një tridhjetëshe në mënyrë që ta ndanin në gjashtë. E ndërsa policët bënin pazar ne na kishte  filluar dhimbja e kokës. Do të na duhej të punonim një javë për gjithë kafetë e shpenzuara atë fundjavë.

%d bloggers like this: