Manekinë për politikën

Nga Genci Pishtari

Me krijimin e partive të shumta politike pas viteve 90’, u krijuan edhe forumet rinore përkatëse, pothuajse të çdo partie. Krijimi i këtyre forumeve duhej të jepte frytet e saj duke kultivuar tek rinia principet e demokracisë. Ato supozohet të ishin dhe të jenë shkolla politike të cilat trajnojnë liderët e së ardhmes. E kundërta ndodhi dhe vazhdon të ndodhë në Shqipëri, ku forumet rinore përdoren nga politika vetëm si maska për të përmirësuar imazhin e tyre. Politika Shqiptare, sa herë e ndjen mungësen e imazhit demokratik, përdor forumet rinore për të krijuar iluzionin se i përfshijnë të rinjtë në jetën politike. Gjatë kongreseve, protestave apo në ditët e fushatave zgjedhore rinia përdoret duke u shërbyer politikanëve dhe politikës. Në fakt ata i shërbejnë shumë kësaj politike.

Duke mbledhur disa të rinj, ca andej e ca këtej, e në disa raste duke iu lutur si shokë për  tu afruar në forum, drejtuesit i vlerësojnë të rinjtë dhe idetë e tyre duke i vendosur në skenën e fushatës mbrapa kryetarit që po mban fjalim. Dhe në pamjet televizive na jep përshtypjen e një rinie aktive e funksionale. Në shumicën e rasteve këto “postera reklame” nuk e dinë se për kë dhe për çfarë po flitet. Një mashtrim i vogël ose i madh, që u bëhet në formën e premtimit të një vendi pune ose një shume parash, i ofrohet forumeve për të luajtur një rol në politike, rolin e  manekinit. E në fund, edhe vendimmarrjet mbi forumin e tyre nuk i ka në dorë rinia. Kjo sepse që në fillim të procesit, aty ku duhet të mësohet vota e lirë dhe e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, gjithçka ndalon, për t’i lënë vendin një njeriu që i shërben me kokë ulur politikës së vjetër. Kjo është rinia që po krijon politika sot. Një rini pa probleme, që gënjen veten duke menduar se do të ketë mbështetje nga të vjetërit.

Unë nuk di as edhe një rast ku ideja e ndonjë lideri të jetë kundërshtuar nga politika rinore. Përveç kësaj, zëri nuk është ngritur as për të kundërshtuar papunësinë, korrupsionin dhe njëmijë ë një problemet që ka Shqipëria. Të rinjtë nuk duhet te mbështesin gjithmonë  klasën e vjetër politike. Rinia është motorri i shoqërisë që prodhon ndryshime shoqërore. Politika po e shtyp rininë, në vend që të jetë e hapur, ta përqafojë atë, ajo nuk përfaqëson fare interesin saj.

%d bloggers like this: