Mbi konvencionet e proceseve vendimarrëse dhe përfaqësimit të tyre mediatik

Nga Denis Mari

Kalo mouse siper!

Kalo mouse siper!

Konvencionet intelektuale të tilla si përdorimet e figurshme (mediatike) të disa elementëve postmodernistë, mund të jenë po aq ngërthyese sa dhe konvencionet komerciale – ndoshta dhe më shumë duke parë se si janë në gjendje të ‘mashtrojnë’ njerëz inteligjente duke I bërë të besojnë se janë tashmë bashkautorë të një sipërmarrjeje kritike, ose më keq akoma revolucionare për shoqërinë. Paradigmat ‘tradicionale’ të vetvetes, kuptimit dhe përfaqësimit, kanë kohë që kanë dalë nga skena dhe në boshllëkun e krijuar spekulimet gëlojnë.

Arratisja nga konvencionet është një formë kurrnacërie që në disa dimensione të sferës publike, sidomos në vendimarrje dhe policy-making, gati-gati kalon në burracakëri. Thyerja e rregullave është kthyer tashmë në një ushtrim formal dhe I një lloji të tillë të cilin mund ta mbartim deri në kufijtë e mospërvetësimit të skajshëm të kuptimit! Dhe të sillemi sikur si mospërvetësimi ashtu dhe mungesa e një marrëdhënie estetike me objektin social të vëzhguar, të jetë jo vetëm e pranueshme por dhe e parapëlqyeshme. Arti modern, sidomos piktura dhe krijuesit e saj janë deri diku dëshmi e kësaj.. Ndaj dhe rregullthyerja nuk ka ndonjë marrëdhënie më të privilegjuar me origjinalitetin sesa rregullndjekja. Cështja, sipas meje, konsiston në mënyrat me të cilat ne ndjekim ose thyejmë rregullat!

Nga ana tjetër, konvencionet komerciale mund të jenë të ‘thella’, pa mëtuar aspak dimensionin intelektualoid të atyre ‘intelektuale’. Cdo formë kulture ka shkollarët e saj dhe pashmangshmerisht dhe parashkollarët e saj! Kam vënë re se këta të fundit shpesh anashkalojnë natyrën dialektike të industrisë kulturore duke pretenduar se janë korporatat mediatike që kushtëzojnë mënyrën me të cilën masat krijojnë marrëdhënien e tyre me realitetin shoqëror që i rrethon. Si argument është, mendoj, po aq i dobët sa dhe qëndrimet libertariane se janë masat, që me konsumet e tyre diktojnë se cfarë prodhojnë mediat… Padyshim këto janë forca në dialog të vazhdueshëm me njëra tjetrën dhe peshorja anon sa në njërën anë dhe në tjetrën.

Po kur thelbi zhvendoset nga debatet teknike në lidhje me natyrën strukturore të logjikës së mediave, në format e përfaqësimit të proceseve të vendimarrjes në sferën publike, atëherë duhet shumë kujdes. Qëndrimi “nuk e kuptoj por më pëlqen” bëhet sipas meje krejtësisht I papranueshëm dhe e anasjellta e tij, “nuk më pëlqen, por e kuptoj” është shumë më i preferueshëm.

%d bloggers like this: